Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka shkuar menjëherë në vendngjarje ku tregu i rrobave të përdorura u përfshi në flakë të përmasave shumë të mëdha.
Ai mbajti një prononcim për mediat duke u shprehur se shuarja e flakëve ishte një luftë e vërtetë, por situata është tashmë nën kontroll.
Po kështu Beci falënderoi shërbimet zjarrfikësve të ardhura nga rrethet për t’i ardhur në ndihmë Shkodrës.
“Ka një orë e gjysme që është stabilizuar situata. Ka qenë luftë e vërtetë për të menaxhuar dhe marrë në kontroll situatën e zjarrit. Jam i gëzuar që tani nuk ka më rrezik dhe nuk pati dëme në njerëz. Është stabilizuar situata. Ka qenë shumë e rëndë dhe faleminderit zjarrfikësve të Lezhës, të Vaut të Dejës. Kanë ardhur nga Ulqini nga Tivati. I falënderoj shumë, kjo situatë ku zjarrfikësit nuk kishin mundësi të futeshin, kjo katrahurë urbanistike ka qenë shqetësim i madh. Ka akoma punë për të pastruar situatë dhe për ta venë në kontroll. Nuk kemi pasur dëme në njerëz dhe situata është në kontroll. Grupet e vlerësimit do vijnë në terren. Instancat janë të organizuara. Organizimi ka qenë shumë i mirë dhe është marrë shpejt situata në kontroll. S’ka pas ndonjëherë në Shkodër një rrezik shumë të madh’, tha Benet Beci.
Ndërkohë edhe Prefektja e Qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni thotë se është lokalizuar perimetri i zjarrit që përfshiu tregun e rrobave të përdorura dhe disa banesa.
Angoni tha se nuk të lënduar në njerëz, ndërsa dëmet materiale do të përcaktohen pas shuarjes së zjarrit.
‘Një situatë e paprecedentë. Kjo tregon vështirësitë urbanistike për ndërhyrjen e emergjencave Civile. Falënderoj Zjarrfikëset nga Lezha, Malësi e Madhe Vau i Dejës, Ulqini. Në këtë moment janë nisur edhe helikopteri. Perimetri i zjarrit është lokalizuar ka mbetur një vatër qendrore. Po përqendrojmë të gjitha forcat për izolimin sa më të shpejtë të tij. E rëndësishme është se humbje jete, plagosje njerëzish nuk kemi, kemi dëmtime materiale të disa banesave, por nuk është përcaktuar” tha Angoni.