Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi ka reaguar ndaj kryeministrit Isa Mustafa duke thënë se ishte ai që dha verdiktin për Vetëvendosjen.
Sipas Kadaj-Bujupit, Mustafa ishte ai që luajti rolin e policit, gjykatësit e prokurorit dhe se ishte ai që urdhëroi arrestimin e gjashtë aktivistëve të VV-së.
“Isa Mustafa e drejtoi gishtin e dorës, atë me të cilin nënshkroi Zajednicë, kundër VV-së, kundër aktivistëve që kundërshtuan marrëveshjet që vinin nga Beogradi. E ndërlidhi gazin lotsjellës me gjuajtjet e parlamentit. Ai dha verdiktin për Vetëvendosjes, kjo po bëhet edhe sot duke e ndërlidhur vrasjen e Astrit Deharin me vrasjet në Siri Kryeministrit në gusht s`e kishte problem të bëhej vet polic, gjykatës, prokuror në një gjyq publik. Një kryeministër në moshë të shtyer urdhëroi të arrestohen gjashtë studentë në mënyrë që t`i privojë nga liria ata që e kundërshtuan”, është shprehur ajo, transmeton Indeksonline.
Ajo ka thënë se shumëkush ka reaguar ndaj vdekjes së Astrit Deharit në burg, por ishte vetëm Kuvendi i Kosovës që heshti në këtë drejtim.
“U diskutua në Këshillin e Sigurimit, ambasadori amerikan, ministri i Jashtëm britanik, sekretarja e përgjithshme e një OJQ-je në Zvicërr, asambleistë dhe deputetë, u angazhuan shoqëria civile dhe përmes peticionit të fundmi, ndërkaq ky Kuvend heshti. Duke mohuar drejtësinë për Astritin”, ka thënë ajo.