Si dëshmi nderimi që bota akademike e kulturore – shqiptare dhe e huaj – i shpreh shkrimtarit Ismail Kadare, janë takuar dje në Tiranë, botues, përkthyes dhe akademikë, në konferencën e organizuar nga Universiteti i Tiranës, Departamenti i Letërsisë, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë), në kuadër të aktiviteteve që përkojnë me 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit
Si dëshmi nderimi që bota akademike e kulturore – shqiptare dhe e huaj – i shpreh shkrimtarit Ismail Kadare, janë takuar dje në Tiranë, botues, përkthyes dhe akademikë, në konferencën e organizuar nga Universiteti i Tiranës, Departamenti i Letërsisë, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës (Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë), në kuadër të aktiviteteve që përkojnë me 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Seanca e parë e Konferencës që u mbajt në Tirana International u drejtua nga profesoreshë Floresha Dado, studiuesi Françesko Altimari, dhe kritiku i njohur Petër Morgan.
I pari që mbajti kumtesën kushtuar këtij eventi të rëndësishëm ishte kritiku francez Eric Faye, i cili tha se Kadare me Pallatin e Ëndrrave, hedh një hap më shumë dhe tejkalon Oruellin, meqë pushteti e kërkon, që brenda mureve të “Tabir Sarajit” të njohë të pandërgjegjshmen e njerëzve dhe të asgjësojë komplotet dhe prirjet e tjera të mjegullta të rebelimit.
“Kadare është shkrimtar i një vendi të vogël, por është shkrimtar i madh nga një vend i vogël. Për këtë arsye të shkruarit e veprës së tij përbën një rekord shumë të madh për letërsinë. Ai ka shkruar në një nga diktaturat më të egra, ku ishte e pamundur të shkruaje dhe ai për këtë arsye ka arritur të bëjë një vepër shumë të magjishme dhe interesante. Te vepra e tij përmblidhet e gjithë historia njerëzore, jo vetëm e vendit të tij. Gjejmë tiparin universal, luftën e njeriut kundër pushtetit e me radhë. Kadare është një shkrimtar që e meriton Nobelin, dhe shkruan një gjuhë ballkanike. Do të ishte mirë që Nobeli që prej kohësh ka munguar në Ballkan të jepej për një shkrimtar ballkanas”, tha Faye.
Pas tij, fjalën e ka marrë përkthyesi anglez John Hodgson, duke lexuar kumtesën me titull “Pritja e veprës së Kadaresë në Angli e Amerikë në vitet 1971-1990”. Hodgson ka treguar impaktin e parë të letërsisë së Kadaresë në botën angleze. “Një nga veçantitë e Kadaresë është zhytja në të kaluarën për të na folur për të tashmen, ndryshe nga Oruell, i cili i referohet një fiksioni në të ardhmen për të na paralajmëruar për të tashmen. Letërsia e Kadaresë është një autopsi mbi totalitarizmin”.
Kritiku nga Australia, Piter Morgan vlerësoi shkrimtarin kështu: “Kadareja është një nga shkrimtarët më të mirë të Europës dhe në botë. Letërsia shqiptare me Kadarenë është në nivele të respektueshme të letërsisë botërore. Kadarenë duhet ta shikojmë në kuadrin e letërsisë botërore dhe jo të së kaluarës. Këtu qëndron edhe thelbi për të cilin ai e meriton çmimin ‘Nobel’”.
David Bellos, një tjetër përkthyes i veprës së shkrimtarit shqiptar ka folur për temën “Ismail Kadare dhe çështja e pushtetit” duke thënë se te Piramida ne shohim botën e lashtë pjesërisht përmes syve të një faraoni; te Pasardhësi ne shohim një botë moderne pjesërisht përmes syve të një “Prijësi”; dhe në shumë vende të tjera përjetojmë se si është të jesh pranë pushtetit në një pallat të ëndrrave, në administratën e një rendi qorrues, apo edhe në Moskë në vitin 1960.
“Kadare sigurisht që shpreh solidaritetin me viktimat e pushtetit, por ajo që më intereson mua këtu është shkalla në të cilën ai na bën të mëshirojmë a simpatizojnë njerëzit që kërkojnë dhe marrin pushtetin, po aq sa ata që jetojnë të shtypur nën të. Në universin e Ismail Kadaresë, pushteti nuk është kënaqësi. Është mallkim”, tha ndër të tjera Bellos.
Për pritjen e veprës së Kadaresë për lexuesin italian, foli akademiku, dhe filologu arbëresh Matteo Mandala, duke u ndalur te romani “Kronikë në gur” theksoi ndër të tjera se “ky roman konfigurohet si një nga shtyllat e sistemit të ardhshëm narrativ kadarean, sepse përmban disa nga bërthamat kryesore të tij. Në fakt, Kronikë në gur, bashkë me Kështjellën, përfaqësojnë përgjigjen që i dha Kadare krizës së thellë që e përfshiu gjatë trevjeçarit 1965-‘67”.
Përkthyesi gjerman Joachim Röhm ka folur për pasojat e përkohshme të “grindjes letrare gjermano-gjermane“ për receptimin e veprës së Ismail Kadaresë në gjuhën gjermane se si shkrimtari ishte ndër viktimat e kësaj polemike që, bashkë me disa faktorë të tjerë, shkaktoi një ndërprerje disavjeçare të botimeve të tij në gjuhën gjermane.
Konferenca ka bashkuar përfaqësues prestigjiozë të qarqeve akademike e kulturore nga mbarë bota, nga Australia, Franca, Anglia, Rusia, Gjermania, Italia, Rumania e të tjerë, por edhe studiues të dalluar nga hapësira shqiptare,
Kjo Konferencë bashkoi dje në Tiranë përfaqësues prestigjiozë të qarqeve akademike e kulturore nga mbarë bota, nga Australia në Francë, nga Anglia në Rusi, nga Gjermania, Italia, Rumania etj., me studiues të gjithë hapësirës shqiptare.
Morën pjesë, ndër të tjerë, akademikë, profesorë e përkthyes të huaj: Peter Morgan (Australi), John Hodgson (Angli), David Bellos (Angli), Joachim Röhm (Gjermani), Eric Faye, Jean Paul Champseix dhe Alexandre Zotos (Francë), Aleksander Rusakov (Rusi), Marius Dobrescu (Rumani); profesorët italo-arbëreshë Matteo Mandalá (Palermo) dhe Françesko Altimari (Kozencë); nga Kosova studiuesit Agim Vinca, Kujtim Shala, Bajram Kosumi etj., studiues nga Maqedonia dhe nga diaspora (SHBA), akad. Floresha Dado, akad. Gjovalin Shkurtaj e prof. Shaban Sinani të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prof. Xhevat Lloshi nga Akademia Shqiptare e Shkencave dhe e Arteve, përfaqësues të Qendrës së Studimeve Albanologjike si dhe një numër i madh profesorësh e pedagogësh të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Konferenca “Studia Kadareiana, albanica et humanitatis” sipas organizatorëve synonte të sillte në hulli të reja në njohjen e deritashme shkencore të veprës së Ismail Kadaresë.
Në këtë konferencë u prekën këto çështje si risitë themelore me të cilat Ismail Kadare e ka pasuruar trashëgiminë letrare universale, raportet e veprës së tij me autorë madhorë të letërsisë së përbotshme, specifikat e receptimit të saj në kultura të ndryshme varësisht prej horizonteve të dallueshme të pritjes, çështje të karakterit të përgjithshëm të unikumit kadarean, çështje të pikëprerjes së letërsisë me historinë, mitologjinë, etnografinë e antropologjinë; çështje të gjuhës, të poetikës e të ndërtekstorësisë; çështje të zhanrit, të ndërmedialitetit e të interpretimit etj.