Kryetarit të PDK-së Kadri Veselit, i është konfirmuar aktakuza nga Prokuroria Speciale. Këtë e ka bërë të ditur vetë Veseli përmes një komunikate për mediat të enjten. Përmes njoftimit, Veseli ka thënë se për aktakuzën është njoftuar të mërkurën pasdite ndërkaq për në Hagë niset sot.
“Përmes kësaj deklarate, dua t’i informoj qytetarët e Kosovës se kam bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave. Nuk do të komentoj më shumë kësaj radhe”, ka thënë ai.
Veseli thotë se ka besim të plotë në objektivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve dhe ka kërkuar nga të gjithë në Kosovë të tregojnë gjithmonë respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë.
Veseli thotë se se edhe pse e ka selinë në Hagë, ajo është pjesë e sistemit tonë ligjor. Sipas tij, nuk duhet të ketë asnjë hatërmbetje drejtuar ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në këtë tribunal.
Ai shkruan se vlerëson faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke i nisur ftesë për në Hagë, dhe jo ta arrestonin në mënyrë të padinjitetshme.
Sipas tij, ‘procesi që po fillon para Dhomave të Specializuara është hapi i fundit në rrugëtimin tonë historik drejt shetëndërtimit të plotë. Duhet konsideruar si një mundësi për të vënë në dukje se ne kemi bërë një luftë të drejt dhe të pabarabartë, dhe e kemi bërë këtë luftë në mënyrë të ndershme’.
Sot në mëngjes, drejt Gjykatës Speciale në Hagë është nisur edhe Rexhep Selimi, një tjetër figurë e lartë e UÇK-së.
© SYRI.net