
Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, deklaroi se për momentin nuk mund të konfirmojë me saktësi nëse ndaj gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov, ka pasur ankesa për marrje ryshfeti në të kaluarën, duke theksuar se publiku do të marrë përgjigje zyrtare pasi të kryhet kontrolli në evidencat e Këshillit. Ristov është nën hetim nga Prokuroria pasi në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë u gjetën rreth 350.000 euro, të fshehura në mur, për të cilat dyshohet se janë fituar në mënyrë të paligjshme. Kambovski tha se Këshilli do të veprojë sipas udhëzimeve të Gjykatës Penale.
“Sa denoncime saktësisht ka pasur nuk mund t’ju them për momentin, përndryshe Këshilli Gjyqësor ka vepruar sipas kërkesës së Gjykatës Penale dhe tani të lëmë hetimin të konstatojë atë që është e nevojshme. Në Këshillin Gjyqësor ka pafund ankesa. Tani, së pari nuk më kujtohet konkretisht që ka pasur ankesa për marrje ryshfeti ose për diçka të ngjashme, një rast sa më kujtohet është zhvilluar për të për mos-përjashtim nga një lëndë, kur duhej të ishte përjashtuar, ndërsa raste të tilla konkrete tani nuk më kujtohen”, deklaroi Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit Gjyqësor. /Alsat.mk



