Kanabisi për qëllime mjekësore/ Këshilli i Ministrave miraton standartet dhe parcelat e tokës ku do lejohet kultivimi i drogës (Vendimi i plotë)

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e kësaj të mërkure, ka miratuar standardet dhe parcelat e tokës në të cilat do të lejohet kultivimi i kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.


Sipas këtij vendimi, lënda narkotike do të kultivohet larg zonave të mbrojturave dhe ato turistike.

VENDIMI I PLOTE

V E N D I M PËR MIRATIMIN E STANDARDEVE PËR ZONAT DHE PARCELAT    E TOKËS, NË TË CILAT DO TË LEJOHET KULTIVIMI I BIMËS  SË CANNABIS-IT PËR QËLLIME MJEKËSORE DHE INDUSTRIALE

Në mbështetje të neneve 100 të Kushtetutës, të shkronjës “c”, të pikës 2, të nenit 9, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
  2. a) “Standardet”, tërësia e kërkesave dhe kritereve që duhet të kenë zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore dhe industriale;
  3. b) “Parcelë e tokës”, sipërfaqe e kufizuar e tokës, përfituar me aktin e fitimit të pronësisë, e cila do të përdoret për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore ose industriale, në zbatim të përcaktimeve të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”;
  4. c) “Ambient i mbrojtur”, një mjedis kultivues dhe i mbuluar, i cili krijon kushte të favorshme për rritjen e bimëve, duke mbrojtur ato nga ndikimet atmosferike të jashtme, si ndryshimet ekstreme të temperaturës, era apo reshjet e shiut. Ky ambient lejon depërtimin e rrezatimit diellor dhe zakonisht përfshin struktura, si sera ose tunele plastike, që ofrojnë një shkallë të caktuar kontrolli mbi temperaturën, lagështinë dhe dritën, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira të bujqësisë dhe të mbledhjes (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave;

ç) “Ambient i mbyllur”, një mjedis plotësisht kultivues, i mbuluar dhe i izoluar nga ndikimet e jashtme atmosferike, i cili ofron kushte të favorshme për rritjen e bimëve, pa depërtimin e rrezatimit natyror diellor. Ky lloj ambienti përdor ndriçim artificial e sisteme kultivuese për parametrat, si: drita, lagështia, temperatura, ventilimi dhe për ndikimin e faktorëve të tjerë të jashtëm, duke siguruar kushte optimale për kultivimin, në përputhje me udhëzimet e praktikat e mira bujqësore dhe të grumbullimit (GACP) të Agjencisë Evropiane të Barnave;

  1. d) “Zonë”, tërësia e parcelave të tokës, ku kultivohet bima e cannabis-it për qëllime mjekësore ose industriale;
  2. dh) “Terren kultivues ose substrakt kultivues”, një material ose përzierje materialesh, natyrore ose të prodhuara, që siguron mbështetje fizike dhe furnizim me ushqyes për rritjen e bimëve, që mund të përfshijë tokë natyrale, torfë, perlit, vermikulit, fibra kokosi apo substrakte të tjera, që krijojnë kushte të përshtatshme për rritjen e bimëve në një ambient kultivues, duke lejuar rregullimin e lagështisë, ajrimit dhe ushqyesve.
  3. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime mjekësore janë:
  4. a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:
  5. të mbrojtura e të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave;
  6. të pyjeve, kullotave dhe livadheve;

iii. ushtarake;

  1. të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
  2. b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km, në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë;
  3. c) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes;

ç)  përqendrimi i metaleve të rënda në tokë apo në terrene kultivuese (substrakte kultivuese), ku kultivohet cannabis-i për qëllime mjekësore, që nuk duhet të kalojë vlerat maksimale, të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;

  1. d) toka apo terrenet kultivuese (substraktet kultivuese), ku kultivohet cannabis-i mjekësor, që duhet të plotësojnë standardet e parashikuara në udhëzuesit për praktikat e mira bujqësore e të grumbullimit të Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si dhe në standardet e parashikuara nga Organizata Ndërkombëtare për Standardizim (ISO).
  2. Standardet për zonat dhe parcelat e tokës për kultivimin e bimës së cannabis-it për qëllime industriale janë:
  3. a) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave:
  4. të mbrojtura dhe të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, të shpallura si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave;
  5. të pyjeve, kullotave dhe livadheve;

iii. ushtarake;

  1. të përcaktuara si sistem urban nga dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
  2. b) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, të miratuara sipas legjislacionit për bletarinë;
  3. c) parcelat e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, që duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 (tre) km në rrugë ajrore nga zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.
  4. Në rastet kur, për ushtrimin e aktivitetit parashikohet kryerja e ndërhyrjeve ndërtimore në parcelën e tokës, pjesë e njësisë së prodhimit, ndërtimi kryhet sipas përcaktimeve të legjislacionit të planifikimit dhe zhvillimit të territorit.
  5. Në rastet, kur parcela e tokës përdoret për kultivimin e cannabis-it për qëllime mjekësore apo industriale, ajo duhet të jetë e pajisur me aktin e fitimit të pronësisë, në zbatim të përcaktimeve të Kodit Civil dhe të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”.
  6. Standardet e parashikuara në pikat 2, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, e 3, shkronjat “a”, nënndarja “iv”, dhe “b”, të këtij vendimi, nuk aplikohen kur kultivimi kryhet në ambiente të mbyllura.
  7. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe subjektet e licencuara dhe me leje për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme