Gazetar: Suad Bajrami
Vetingu apo pastrimi i gjyqësorit, si mënyrë për ta çrrënjosur korrupsionin apo anshmërinë nga gjykatësit dhe prokurorët, është bërë sërish temë aktuale, pasi disa nga kandidatët për president premtuan se do të angazhohen, madje përpos gjyqësorit, të ketë veting edhe në politikë. Profesori universitar, Gorgan Kallajxhiev thotë se premtimet e këtilla janë vetëm për të treguar se gjoja kandidatët do të angazhohen për reforma radikale. Sipas Kallajaxhievit premtimet e këtilla janë sa për fushatë.
“Deklaratat më të reja në fushatë, janë më shumë PR, gjegjësisht dëshirë për të lënë përshtypje se kandidatët angazhohen për reforma radikale, të tregojnë ndonjë vendosmëri. Por, në thelb çështja është e deklasuar, gjegjësisht te ne praktikisht kaloi një debat, në të cilin shumica e mendimeve ishin se më e rrezikshme që të ndërmarrim veting të tillë radikal sesa t’ua lëmë institucioneve ta bëjnë këtë në korniza normale institucionale”, tha Gordan Kallajxhiev, profesor universitar.
Kallajxhiev thekson se mund të bëhet një procedurë paravetingu vetëm për institucionet të cilat merren me procedurat disiplinore apo zgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Megjithatë, për këto, funksioni i presidentit nuk ka kurrfarë kompetence.
“Kandidatët presidencial, duan të tregojnë vetëm diçka radikale të tërheqin vëmendje, ndërkaq as ndjehen përgjegjës e as janë kompetentë për t’i zgjidhur këto çështje”, shtoi Gordan Kallajxhiev, profesor universitar.
Në mungesë të besueshmërisë së qytetarëve në gjyqësor si pasojë e skandaleve dhe mungesës së reformave, partitë politike prej vitit 2017-të premtojnë veting apo proces të verifikimit të pasurisë, integritetit dhe personalitetit të figurave të sistemit gjyqësor. Megjithatë, pavarësisht disa iniciativave të dështuara, ky proces nuk u realizua pasi që Bashkimi Evropian, duke u bazuar në përvojën e Shqipërisë, rekomandonte që Maqedonia e Veriut t’i përdor mekanizmat ekzistues. Edhe pse BE ka qëndrim të qartë për vetingun, partitë vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e këtij procesi, duke e përkufizuar si një prej mënyrave të vetme për pastrimin e gjyqësorit. Përskaj vetingut për gjyqësor, partitë kërkojnë veting edhe për politikën./Alsat.mk