Një tjetër autogol nga bartësit e listave për deputetë në rradhët e partisë shqiptare në pushtet në Maqedoni, Bashkimit Demokratik për Integrim. Pas Artan Grubit i cili në konventën promovuese të BDI-së, pas 15 viteve të luftës së 2001-it, vendosi të thirrej në emër të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, gjë që nxiti një reaksion papëlqyeshmërie por dhe humori në opinion, ndërkohë që dhe askush nga pjesëmarrësit në këtë konventë nuk e mbështeti e madje e fishkëlluan, kësaj rradhe bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 3, Nafi Durmishi në spotin publicitar ka pranuar se drejtësia në Maqedoni është selektive.
Kjo ka qenë një goditje e fortë për BDI-në, sepse pikërisht sektorin e drejtësisë për më shumë se 8 vite udhëheq partia nën amblemën e së cilës ka kandiduar për deputetë vet Nafi Durmishi; ndërkohë gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur montimet më të mëdha politike për shqiptarët si rasti me burg të përjetshëm të 7 shqiptarëve për lëndën gjyqësore “Monstra” dhe mbi 30 të akuzuarit për terrorizëm në rastin “Lagjja e Trimave” në Kumanovë.
Kjo është deklarata e Durmishit në spotin e tij publicitar:
“Një nga përbetimet e BDI-së është vendosja e drejtësisë për të gjithë. Ne besojmë se drejtësia ndaj shqiptarëve nuk është më siç ka qenë dikur, por akoma mbetet selektive. Ne të zonës 3 e dimë mirë këtë. BDI beson se është koha për zbatim të plotë të të gjitha pikave dhe rekomandimeve të dala nga raporti i Pribes. Institucionet e dala nga marrëveshjet politike që garantojnë drejtësi të bëhen hallka të përhershme të sistemit”, ka thënë Durmishi.
Dhe ngjan sikur BDI dhe Ali Ahmeti në zgjedhjet e 11 dhjetorit si duket nuk do t’i kenë kundërshtarë vetëm shqiptarët, por edhe kandidatët e vetë për deputetë.