Kandiq: Paunoviqi është nga Peja dhe i njeh krimet, deklaratat e saj tregojnë se ideologjia e spastrimit etnik s’është braktisur

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, ka reaguar ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviq, duke theksuar se ajo e di mirë se çfarë ka ndodhur në Pejë gjatë luftës në Kosovë.

Kandiqi ka rikujtuar se Paunoviqi është e lindur në Pejë dhe se është në dijeni se më 27 mars të vitit 1999 policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga qyteti.

Sipas saj, qytetarët u detyruan të largoheshin në kolona, në këmbë drejt Malit të Zi, ndërsa të tjerë u deportuan me autobusë në Shqipëri.

“Ministrja Paunoviq është nga Peja. Ajo e di mirë se më 27 mars 1999 policia serbe dëboi nga Peja pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare – se njerëzit largoheshin në këmbë, në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë deportoheshin në Shqipëri”, ka deklaruar Kandiqi.

Ajo ka përmendur edhe krimet e kryera në fshatrat Çyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku, sipas saj, civilët u vranë, ndërsa trupat e tyre u dogjën.

Kandiq ka thënë se, pavarësisht njohurive për këto ngjarje, Paunoviqi e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk ishte zbatuar në vitin 1998.

“Ajo i di të gjitha këto, por pavarësisht kësaj, e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që nuk ishte zbatuar në vitin 1998”, ka shtuar ajo.

Në fund, Kandiqi ka paralajmëruar se deklaratat e ministres serbe nuk duhet të shihen vetëm si një koment për të kaluarën, por si dëshmi se ideologjia që qëndron pas spastrimit etnik vazhdon të jetë e pranishme.

“Fjalët e saj nuk i përjetoj si një diskutim për të kaluarën, por si një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur”, ka përfunduar Kandiqi, shkruan Telegrafi.

Por kush është Snezhana Paunoviq?

Snezhana Paunoviq është ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë. Ajo është e lindur në Pejë dhe, sipas të dhënave zyrtare të ministrisë që drejton, është ekonomiste e diplomuar.

Paunoviqi është anëtare e Partisë Socialiste të Serbisë që nga viti 1992. Kjo parti njihet si partia e ish-presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ndërsa aktualisht udhëhiqet nga Ivica Daçiq.

Reagimet ndaj saj erdhën pasi Paunoviqi deklaroi për median serbe “Kurir” se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998”.

Pas kësaj deklarate, institucionet e Kosovës e shpallën Paunoviqin “persona non grata”, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen dhe kalimin tranzit nëpër territorin e Republikës së Kosovës.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme