Gazetare: Ajnur Bafqari
Kanë vazhduar edhe sot përplasjet mes partive lidhur me uljen e numrit të këshilltarëve në disa komuna. VLEN akuzon BDI-në se fshiu diasporën shqiptare me regjistrimin e popullsisë në vitin 2021 dhe i dërgojnë mesazh që të mos pretendojnë se mund të zgjidhin një problem që e kanë krijuar vetë.
“Ishte BDI ajo që shkroi, propozoi dhe votoi modelin dhe metodologjinë e regjistrimit që zhvlerësoi numrat, përjashtoi diasporën dhe shkeli përfaqësimin e barabartë të shqiptarëve. Problemi nuk ra nga qielli, BDI e ndërtoi atë. Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Artan Grubi, Ilmi Selami, Blerim Bexheti dhe të tjerët janë krijuesit e problemit të regjistrimit. Ata nga BDI ishin në qeveri dhe votuan Ligjin e Regjistrimit në Parlament”, thonë nga VLEN.
Nga BDI thonë se me këtë vendim komunat shqiptare dëmtohen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nga atje nënvizojnë se VLEN po relativizon, mbulon e minimizon politikat antishqiptare të Mickoskit.
“Është e qartë për opinionin publik se VLEN luan rolin e preferuar të kryeministrit dhe qeverisë së tij monoetnike, rolin për të relativizuar, mbuluar, justifikuar dhe minimizuar çdo politikë antishqiptare. Ky mision realizohet çdo ditë, si pjesë e një plani sistematik të hartuar dhe mbështetur nga qarqe të oligarkisë, që synojnë dobësimin e përfaqësimit politik dhe institucional të shqiptarëve”, deklaruan nga BDI.
Por VMRO-DPMNE u kundërpërgjigj me një komunikatë ku siguron se shqiptarët nuk janë aspak të kërcënuar por të kërcënuara janë vetëm skemat milionëshe dhe siç thonë kombinimet kriminale të BDI-së.
“Kur BDI nuk mund të vjedh dhe kur përfundimisht duhet të përgjigjet për krimin, atëherë fillojnë me britmat ‘nuk ka drejtësi për të gjithë’, ‘kërcënohen marrëdhëniet etnike’ apo ‘shqiptarët janë nën sulm’. Kur nuk kanë më tenderë dhe reket, përnjëherë bëhen ‘mbrojtës të shqiptarëve’. Shqiptarët nuk janë të kërcënuar, të kërcënuara janë vetëm skemat milionëshe dhe kombinimet kriminale të BDI-së”, thanë nga VMRO-DPMNE.
Këto reagime vijnë pas miratimit të udhëzuesit nga ana e KSHZ-së, me të cilin ulet numri i këshilltarëve në 14 komuna, për çka anëtarja e komisionit Ditmire Shehu paralajmëroi padi në Gjykatën Administrative. Vendimi i KSHZ-së nënkupton që numrin e këshilltarëve nëpër komuna, ta përcaktojë vetëm numri i banorëve rezidentë, dhe kjo doli nga vendimi i qeverisë, i miratuar htatorin e vitit të kaluar. Qeveria këtë vendim e solli mbi baza të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, por edhe në pajtueshmëri me ligjin për vetëqeverisje lokale. Nga ky vendim më së shumti pësoi komuna e Gostivarit, ku nga 31 këshilltarë, numri u zvogëlua në 23. /Alsat.mk



