
Në Drejtorinë e të Ardhurave Publike, njësia rajonale në Shkup është krijuar kaos me nxjerrjen e dokumenteve përmes të cilave qytetarët dhe bizneset mund të dëshmojnë se nuk kanë borxhe ndaj shtetit. Kaosi është shkaktuar pas arrestimeve të fundit në DAP mes të cilëve në pranga përfundoi dhe udhëheqësja e repartit të Qytetit të Shkupit, për manipulime me kthim të TVSH-së. Alsat mëson se drejtoresha ka autorizuar persona të tjerë në drejtori për të nënshkruar dokumente në emër të saj por të njëjtit nga frika se mund të kenë pasoja juridike më pas, refuzojnë të bëjnë një gjë të tillë. Pikërisht kjo ka bërë që ky institucion të paralizohet veçanërisht në pjesët që i mbulon drejtoresha e arrestuar. Burime nga DAP thonë se kjo çështje që po mban të bllokuar qytetarë e biznese do të zgjidhet nga e hëna./Alsat.mk



