Gazetare: Ajnur Bafqari
Autoritetet kanë zbardhur vrasjen që ndodhi mbrëmjen e Vitit të Ri përpara një objekti gastronomik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, ku si pasojë humbi jetën shtetasi turk Ahmet Mert Dogan 22-vjeçar. Nga prokuroria njoftojnë se i dyshuari për vrasjen ndodhet në Kosovë, ku është privuar nga liria nga autoritetet kosovare, ndërsa pritet procedura për ekstradimin e tij.
“Nga veprimet hetimore është konstatuar se i dyshuari ndodhet në Kosovë, ku është privuar nga liria nga autoritetet kosovare. Prokurori publik ka dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit në mungesë, mbi bazën e të cilit do të iniciohet menjëherë procedura për ekstradimin e tij”, njoftojnë nga Prokuroria.
Policia më herët njoftoi se ka siguruar dëshmi dhe ka dorëzuar kallëzim penal ndaj 25 vjeçarit.
“Mbi baza të dëshmive të siguruara, MPB sot ka dorëzuar kallëzim penal ndaj M.T nga Turqia, me vendbanim në Tetovë, sepse ekziston dyshim i bazuar se është kryerës i veprës Vrasje, nga neni 123 i Kodit Penal si dhe një vepre penale Vrasje në Tentativë në përputhje me nenin 123 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal”, deklaroi Goce Andreevski, Zëdhënës i MPB-së.
Prokuroria shpalosi detaje, duke nënvizuar se natën e vitit të ri në një objekt gastronomik në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, i dyshuari 25-vjeçar, M.T, nga Turqia, me vendbanim në Tetovë, ka nisur një konflikt me dy shtetas të tjerë turq, të moshës 22 dhe 23 vjeçe, prej të cilëve njëri me vendbanim në Shkup, ndërsa tjetri banor i qytetit Essen në Gjermani. Të përfshirët në konflikt fillimisht janë ndarë, por më pas janë takuar sërish, pas çka konflikti ka vazhduar, duke përfunduar në mënyrë fatale për Ahmet Mert Doganin. I dyshuari e ka therur 4 herë në kraharor dhe në zemër të dëmtuarin Ahmet Mert Dogan, i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Autori i njeri i ka shkaktuar plagë duke e shpuar me thikë në shpinë edhe të dëmtuarit tjetër, me qëllim që t’ia marrë jetën edhe atij, pas së cilës është larguar nga vendi i ngjarjes. /Alsat.mk



