Katër muaj pa insulinë, mjekët japin paratë e tyre për të ndihmuar pacientët

Ka katër muaj që shumica e Qendrave të Mjekësisë Familjare në qytetet e Kosovës kanë mbetur pa insulinë, që është medikament i listës esenciale të barnave që duhet t’i ketë secila qendër.

Gjendja është rënduar jashtëzakonisht shumë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, ku insulina e madje edhe shumica e barnave nga lista esenciale nuk janë dërguar që nga muaji dhjetor.

Pacientët paguajnë më shumë se 10 euro për të blerë vetë insulinën, e cila nëpër barnatore private shitet më çmim më të lartë kur kuptohet se mungon furnizimi në QKMF.

Drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha, duke folur për Gazetën Blic, e ka vlerësuar gjendjen si alarmante dhe të papranueshme.

Ka treguar madje se pacientët po i akuzojnë ata se insulinën po e ndalin për vete.

“Prej fillimit të dhjetorit nuk jemi furnizuar fare nga Ministria e Shëndetësisë, nuk po arrijmë të menaxhojmë situatën dhe  nuk ka qysh më keq. Nuk kemi pas mundësi asnjërit prej pacientëve që kanë ardhur të ju ofrojmë insulina. Numri i pacientëve momentalisht është 180,  dhe pozita e jonë është shumë e keqe meqenëse pacientët po dyshojnë se ne po i marrim për vete ato.” ka treguar Berisa për Gazeta Blic.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan

Ai ka thënë se kanë probleme edhe me pjesën tjetër të barnave, thotë se Ministria i ka furnizuar me shiringa, por pa gjilpëra.

“Më e keqja është se ne nuk furnizohemi me listën e plotë të barnave esenciale. Herën e fundit kur ne kemi bërë kërkesën për listën e nevojshme, na kanë ardhur 50 mijë shiringa dhe por pa gjilpëra do me than njëlloj si mos me i pas hiq.” ka thënë ai.

Thotë se arsyetimi i Ministrisë për këtë gjendje të krijuar është  procedura ligjore, për shkak të kompanisë që ka qenë e kontraktuar për furnizim me insulina.

“Arsyetimi është gjoja se kompania që e ka pas  tenderin i ka skadu mandatin, ka pas probleme me iliqet që kanë ardh dhe tash  është procedurë ligjore, mirëpo ish dashtë me ardh një urdhër emergjent i Ministrisë për furnizim me ilaçe dhe jo të mbetemi në këtë gjendje.” ka thënë ai

Madje ai ka thënë se shpesh me para të veta u ka blerë pacientëve insulinat meqenëse barnatoret private rrisin çmimin e tyre kur e kuptojnë se QKMF-ja nuk ka.

“Ajo që na rëndon më shumë është se sëmundja nuk zgjedh në njerëz të varfër ose të pasur, insulina kushton 10 euro në rrethanat normale, ndërsa kur ne nuk kemi,  në barnatore ia rrisin çmimin për të përfituar. Dhe gjithmonë ndodh kur nuk ka në QKMF, ka nëpër barnatore private. Ka ndodh kur unë vet i kam dhënë para pacientëve për të blerë insulinën, për rastet që nuk kanë kushte” ka rrëfyer për gazetën Blic drejtori i QKMF-së në Deçan.

Ndërsa në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhënë Gazetës Blic, thuhet se kjo qendër është furnizuar për herë të fundit me insulinë në muaji mars.

“Ju informojmë se QKMF në Deçan është furnizuar për herë të fundit me datë 12 mars 2018, me 590 njësi – insulinë analoge nga Ministria e Shëndetësisë, konkretisht Divizioni i Farmacisë.” thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Këtë gjë e pranon drejtori i QKMF-së, por ka thënë se ka qenë furnizim gjysmakë e  që u ka shkaktuar më shumë probleme se sa iu ka ndihmuar.

“Në fillim të muajit që shkoj na kanë furnizuar me gjysmën e kapacitetit, dhe kjo ka qenë shumë e bezdisshme për shkak se na  skemi pas qysh me i nda,  dikush ka marrë dikush jo dhe kjo ka shkaktu konflikt mes pacientëve se po bëhet selektimi i tyre” ka thënë drejtori i kësaj qendre.

Mirëpo sipas Ministrisë ky problem pritet të zgjidhet shpejt, meqenëse pohojnë se ua kanë aprovuar kërkesën kësaj qendre për furnizimin e radhës.

“Gjatë ditës së djeshme i është aprovuar kërkesa e furnizimit të rregullt me barna për muajin e katërt (muajin prill 2018).

Ndërsa, furnizimi i radhës me insulinë, sipas kërkesës së tyre, do të bëhet në pjesën e dytë të muajit prill, sikurse që do të bëhet për të gjitha komunat e tjera.” thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ndër zotimet kryesore prej që ka marrë udhëheqjen e shëndetësisë ka qenë rregullimi i furnizimit me listën e barnave esenciale për të gjithë Kosovën./GazetaBlic/

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme