Abuzimet me çmimet po ndodhin çdo ditë para hundës së “pushtetit”, ndërkohë që pushtetarët ngrenë supet duke thënë se ligji nuk u jep mundësi të reagojnë përmes sanksioneve për të ndaluar këtë trend negativ. I pyetur rreth çmimit të qumështit, blerjen e tij nga blegtorët për 29 denarë dhe shitjen për 100 denarë, zëvendës kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, thotë se Inspektorati i Tregut mund të veprojë vetëm aty ku nuk respektohen masat e Qeverisë. Ai thotë se këto janë kohë mbijetese, duke iu referuar këtu çmimeve të larta tek produktet ushqimore, por edhe ato të energjisë elektrike.
“Në këtë moment nuk është e mundur. Në këtë moment, ajo që mund të bëjë inspektorati i tregut, e bën. Atje ku kemi marzhë të rregulluar, ata nëse nuk sillen sipas vendimit të Qeverisë, marrin dënime. Atje ku nuk janë të rregulluara marzhat, mekanizmat për kontroll nuk janë të mundur dhe nuk mund të ketë dënime”, tha Fatmir Bytyqi, zv/kryeministër për çështje ekonomike.
Kryeministri Kovaçevski, në një intervistë për Zërin e Amerikës, thotë se ky do të jetë një dimër i tmerrshëm jo vetëm për vendin por për të gjithë botën, pasi do të ketë mungesë të energjisë elektrike dhe rezervave ushqimore.
“Ky do të jetë dimri më i vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore. … Kjo mund të shihet nga lëvizjet në tregun e energjisë dhe ndikimi negativ i luftës në Ukrainë. Çdo njeri në kohë krize dhe lufte mendon për familjen e tij, por është detyrë e kryeministrit të mendojë për të gjithë në vend. Ky dimër do të jetë i tmerrshëm. Në OKB të gjithë flasin për kriza. Këtë vit ka mungesë të energjisë elektrike dhe furnizimeve ushqimore për pjesën më të madhe të botës. Maqedonia rriti prodhimin vendas të energjisë elektrike”, theksoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kryeministri Kovaçevski tha vendi është në bisedime me shtete fqinje Serbinë, Bullgarinë. , Greqia, por edhe me Turqinë për të siguruar energji elektrike përmes kontratave të drejtpërdrejta./Alsat.mk