Kërcënimet e Putinit rrisin vigjilencën e institucioneve në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut nuk ndihet e rrezikuar nga kërcënimet e Rusisë pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për mobilizimin e 300.000 rezervistëve që t’i bashkohen luftës në Ukrainë. Megjithatë shteti maqedonas thotë se me vëmendje po ndjek zhvillimet për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të Moskës për të nxitur tensione në rajon, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, tha se nuk sheh ndonjë rrezik për sigurinë e vendit nga deklarata e Putinit se “Rusia po lufton kundër Perëndimit në Ukrainë”, dhe se urdhri për mobilizim nuk duhet të merret si “mashtrim”.

“Shtetet anëtare të NATO-s mbeten të përkushtuar ndaj njërës prej detyrave kyçe të NATO-s, përkatësisht mbrojtjes dhe parandalimit. NATO është një aleancë mbrojtëse, e cila nuk përballet me Rusinë dhe bën gjithçka për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm. Si shumë herë më parë, ne bëjmë thirrje për arsye dhe për ndërprerjen e armiqësive që kanë marrë shumë jetë njerëzish dhe shumë shkatërrime. Rruga e vetme për një zgjidhje përfundimtare dhe të qëndrueshme është dialogu, të cilit duhet dhënë mundësinë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Ministria tha se “po ndjek me vëmendje zhvillimet në Ukrainë të shkaktuara nga agresioni rus, por edhe përpjekjet e Moskës për të shtrirë ndikimin në vende tjera përmes formave të ndryshme destabilizuese”.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, që është edhe komandant suprem i Armatës së Maqedonisë së Veriut, thotë se vendimi i Rusisë për mobilizim të pjesshëm shkakton shqetësim që nuk kontribuon në uljen e tensioneve dhe ndërprerjes së armiqësive.

“Si anëtar i NATO-s, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë strategjikë dhe po e ndjekim situatën me kujdes. Në këtë cilësi, ne marrim të gjithë informacionin e nevojshëm. Ne jemi duke monitoruar situatën dhe do të reagojmë në mënyrë adekuate për zhvillimin e mundshëm të ngjarjeve. Maqedonia e Veriut është pjesë e botës demokratike dhe është në grupin e mbi 140 vendeve që dënuan agresionin rus kundër Ukrainës”, thuhet në reagimin e Zyrës së presidentit Pendarovski.

Përpjekjet e Rusisë për të shtrirë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, janë evidente, andaj institucionet duhet të veprojnë me kujdes, në veçanti ndaj elementeve pro-ruse, thotë Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Ai thotë se Maqedonia e Veriut si vend anëtar i NATO-s, ka siguri, por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk do të bëjë përpjekje për të shkaktuar probleme, para së gjithash kur dihet se në Maqedoni të Veriut ka parti, individë dhe shoqata që mbështesin Moskën, sipas Sinanit.

“Nëse marrim si shembull referendumin për marrëveshjen me Greqinë kur patëm elemente ruse të implikuara për ta dështuar referendumin, atëherë s’do mend se Rusia do të tentojë të importojë luftën nga Ukraina në Ballkanin Perëndimor për nevojat e saj gjeostrategjike. Prandaj, institucionet e Maqedonisë së Veriut duhet të jenë të vëmendshme, për shkak se elemente të tilla kemi edhe brenda partive politike maqedonase. Është fakt se Maqedonia [e Veriut] si anëtare e NATO-s ka siguri, por kjo nuk do të thotë e Rusia nuk do të implikohet dhe nuk do të tentojë t’i realizojë agjendat e saj”, thotë Sinani.

Nga ana tjetër, Metodi Haxhi-Janev, njohës i çështjeve të sigurisë dhe profesor në Akademinë Ushtarake në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut nuk është e rrezikuar drejtpërdrejt nga Moska, sepse sipas tij, “kur bëhet një luftë, ka prioritete dhe Maqedonia [e Veriut] nuk është një prej tyre.

Ai thotë se në këtë fazë, nuk priten pasoja të drejtpërdrejta, por do të ketë efekte, veçanërisht nëse gjërat përkeqësohen.

“Aq sa do të jetë e rrezikshme për pjesën tjetër të Evropës, po aq do të jetë e rrezikshme për Maqedoninë[e Veriut], prandaj mendoj se nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë në këtë fazë. Nëse gjërat përshkallëzohen dhe shkojnë në drejtim që askush nuk do ta dëshironte, atëherë konflikti mund të marrë përmasa të paparashikueshme duke përfshirë në të edhe shtete tjera”, vlerëson Haxhi-Janev.

Mobilizimi i pjesshëm i shpallur nga Putini ishte një hap i pritshëm. Me këtë ai tregoi se operacioni special ushtarak në Ukrainë, siç e quajnë ata, ka dështuar dhe duhet të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, thotë Haxhi-Janev.

“Putini është gati për çdo gjë në këtë luftë, sepse kjo është një betejë gjithçka ose asgjë për të, sepse ai e di se nëse, pas mobilizimit aktual, ai del i mundur nga kjo betejë ose nga kjo luftë, në atë rast kjo do të ishte katastrofale për Rusinë dhe këtu qëndron tashmë rreziku i asaj që disa kanë frikë, se Putini mund të përdorë armë të shkatërrimit në masë nëse ndihet i kërcënuar”, thotë profesori Metodi Haxhi-Janev.

Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s që nga viti 2019 dhe pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të këtij viti, dënoi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës dhe u rreshtua në anën e shteteve që vendosën sanksione ndaj Rusisë.

Prandaj, Rusia në mars e futi Maqedoninë e Veriut në listën e shteteve armike, së bashku me të gjitha vendet e BE-së, SHBA-në dhe Malin e Zi./REL/

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme