13 Janar
I ashtuquajturi “krahu i Shkupit” i Lëvizjes Besa ende nuk ka dorëzuar deri në Regjistrin Qendror kërkesën për ndërrimin e emrit të kryetarit të partisë, nga Bilall Kasami në Nexhbedin Kahremani. Zëdhënësi i kësaj partie Orhan Ramadani, tha se ekipi i avokatëve të angazhuar nga ana e tyre po përgatisin dokumentacionin dhe ditëve në vijim pritet që të njëjtin ta dërgojnë. Nuk dihet nëse dokumentacioni pos firmave të 64 anëtarëve të Këshillit Qendror, posedon edhe vulën e partisë.
Është një proces që po rrjedh që ne si Lëvizja Besa kemi angazhuar avokat i cili po ndjek procedurën për ndryshimin e emrit të ish kryetarit dhe regjistrimin e deputetit Nexhbedin Kahremani si u.d kryer i Besës në Regjistrin Qendror të partive politike. Ky proces duhet të përfundojë me epilog se cili do i ketë vulat e partisë. Gjykatësi e ka shumë të lehtë të verifikojë përmes firmave të anëtarëve të Këshillit Qendror që janë deponuar për shkarkimin e ish kryetarit. Ne jemi të bindur që do i marrim vulat e partisë sepse i njëjti Këshill Qendror që e emëroi ish kryetarin, e shkarkoi të njëjtin dhe e ka emëruar një tjetër. Ne jemi të bindur që juridikish ne duhet t’i marrim vulat – deklaroi Orhan Ramadani, Zëdhënës i Lëvizjes BESA.
Alsat drejtoi pyetje deri në Regjistrin Qëndror për të konfirmuar nëse kanë kërkesë për emërimin e Kahremanit si u.d kryetar i Besës, por nga ky institucion konfirmuan se nuk kanë pranuar asnjë kërkesë.
Regjistri Qendror
“Regjistri Qëndror njofton se deri në ora 15:00 të ditës së djeshme, nuk ka pranuar kërkesë për ndryshimin e emrit të kryetarit të partisë politike “Lëvizja Besa” nga Bilall Kasami në Nexhbedin Kahremani. Kërkesa bëhet në mënyrë elektronike, dhe nëse e njejta dërgohet gjatë fundjavës atëherë përgjigjen dhe shqyrtimi do të bëhet në fillim të javës që vjen”.
Nëse Regjistri Qendror i përgjigjet negativisht kërkesës së Lëvizjes Besa për ndërrimin e emrit të kreut të kësaj partie, kjo e fundit atëherë mund të ngrit padi në Gjykatën Administrative kundër vendimit të Regjistrit Qendror. Pavarësisht procedurave, vet Kahremani tha se nëse edhe vendimi i Gjykatës nuk është në favor të tyre, nuk përjashtohet mundësia për formimin e një partie të re. Ndërkohë mbështetësit e Bilall Kasamit protestuan një ditë më parë para ambulancës së Kahremanit në Tetovë prej të cilit kërkuan dorëheqjen nga posti i deputetit.