Kërkesa e Hasanit për ndryshim të ligjit për Specialen i kthehet Kryesisë së Kuvendit

Komisioni për Legjislacion i ka kthyer Kryesisë së Kuvendit kërkesën e deputetit Nait Hasani rreth debatit parlamentar për Gjykatën Speciale.

Anëtarët e këtij komisioni vlerësuan se në bazë të rregullores së Kuvendit, Kryesia ka të drejtë ta procedojë në seancë kërkesën e gjashtë deputetëve për debat parlamentar lidhur me çfarëdo teme.

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, dhe deputetët nënshkrues, kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të organizojë një debat për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar.

Për këtë, Kryesia pas shqyrtimit të kësaj kërkese kishte vendosur që këtë çështje t’ia delegojë Komisionit për Legjislacion që të jap një rekomandim, meqë nuk ka qenë e qartë nëse është kërkuar vetëm debat, apo nismë Ligjore për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion Albulena Haxhiu tha se ka pasur paqartësi, meqë kërkesat për debat nuk është praktikë t’i procedohen asnjë komisioni.

“Nuk është praktikë që kërkesat për debat t’i procedohen Komisionit për Legjislacion apo për komisionet e tjera. Mirëpo në këtë rast ka pasur paqartësi nga Kryesia e Kuvendit se a po kërkohet vetëm debat në Kuvendin e Kosovë për Gjykatën Speciale, apo nismë legjislative sa i përket kësaj çështje”, tha Haxhiu, raporton KP.

Deputetja e PDK-së, Selvije Halimi, tha se ata si komision mjafton t’i kërkojnë procedimin në seancë sipas rregullores dhe pastaj seanca është ajo që vendos për hapat e mëtutjeshëm, nëse do të ketë nismë ligjore apo do të mbetet vetëm me debat.

“Nisur nga shkresa që e kanë bërë deputetët shihet se ata kërkojnë një debat parlamentar në Kuvend për një çështje të caktuar dhe varësisht prej debatit vihet në përfundim, sigurisht mendohet në rekomandime, të cilat pastaj do të adresojnë inicimin e procedurës. Meqë ne nuk kemi ndonjë dokument tjetër përveç arsyeshmërisë për debat, mendoj që kërkesa t’i kthehet Kryesisë së Kuvendit dhe meqë kjo kërkesë i plotëson kriteret për tu proceduar në Kuvend, është e mjaftueshme t’i kthehet kryesisë dhe sipas rregullores debati parlamentar është i lejuar dhe si kërkesë e tillë duhet të procedohet në seancë për debat parlamentar”, u shpreh Halimi.

Edhe opozita ishte për që kjo kërkesë t’i kthehet Kryesisë. Deputeti i AAK-së Pal Lekaj kërkoi që kjo kërkesë t’i kthehet Kryesisë në mënyrë që ajo ta procedojë në seancën e radhës e cila mund të jetë të enjten apo të premten.

“Unë mendoj që çështja shkon pak më tutje sepse unë mendoj, ne kemi thënë qartë se ne kemi qenë kundër miratimit të Dhomave Speciale sepse ka paqartësi dhe është njëetnike dhe në këtë drejtim mendoj që ne pa humbur kohë, ta procedojmë në Kryesi sot dhe kryesia të vendos në seancën e radhës që mund të jetë të premten apo të enjten që të zhvillohet debati dhe nga zhvillimi i debatit mund të rrjedhin iniciativa që mund të qoj në plotësim ndryshim të këtij ligji”, theksoi Lekaj.

Njëjtë mendon edhe shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën Valdete Bajrami, sipas së cilës Komisioni nuk ka çka të humb më tepër kohë, por kjo kërkesë t’i kthehet mbrapa Kryesisë së Kuvendit.

Kërkesa e deputetit Hasani për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe prokurorit special ka ardhur pas kërkesës së familjeve të të vrarëve dhe Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme