Ka mbetur peng mes të kaluarës së lavdishme dhe të tashmes, në pritje të një blerësi. Hoteli Grand, që ndodhet në qendër të Prishtinës, aktualisht është edhe më i liri për të kaluar një natë. 30 euro një dhomë teke dhe 40 euro dhoma dyshe. Por dikur hoteli i përuruar më 25 prill 1978 kishte një nam tjetër. Këtu kishin fjetur personalitete të ndryshme. Madje suita më e famshme është ajo ku për dy netë kishte qëndruar, Tito.
Vitin që lamë pas, hoteli ishte nikoqir i 2 mijë personave, që në ditë është 3 deri në 4 mysafirë. Që nga nëntori i vitit 2017, Hotel Grandi, ndonëse i ndërtuar vetëm 40 vjet më parë, ka hyrë në listën e objekteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore. Në hotel thonë se iu është kërkuar që t’i ruajnë të gjitha orenditë dhe pamjet e vjetra.
Në një përgjigje me shkrim, Ministria e Kulturës thotë se që një objekt të hyjë në mbrojtje, nuk ka rëndësi viti kur është ndërtuar. Ata madje thonë se duhet të ruhet autenciteti i objektit.
Vjollca Aliu, nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore thotë se “është e rëndësishme që të ruhen elemente, detaje të cilat identifikojnë ndërtesën, respektivisht duhet të ruhet autenticiteti i ndërtesës. Ndërtesa e hotel Grandit është e përfshirë krahas ndërtesave tjera si ajo e BQK-së, Pallati i Rinisë, ndërtesa e Rektoratit. Vjetërsia e një ndërtese nuk është kriteri kryesor për dhënie të statusit të mbrojtjes, por janë edhe vlerat tjera. Në raste si këto, prin kujtesa kolektive.”
Sidoqoftë, Hoteli Grand, që u shit për 8 milionë euro në vitin 2006, është kthyer nën menaxhim të AKP-së, pasi që blerësi nuk kishte respektuar kontratën. Që nga viti 2015, Ndërmarrja është në proces të likuidimit. Në një përgjigje, Yll Kaloshi, zëdhënës i kësaj agjencie, ka thënë se në koordimin me Qeverinë po shohin mundësinë e trajtimit të këtij aseti përmes ligjit për Investime Strategjike. Aktualisht, punëtorët e këtij hoteli pagat i marrin nga qiratë e lokaleve.