Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet E.Gj., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” dhe “Ofrimi i lokaleve për prostitucion”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se gjatë muajit qershor 2026, në rrugën “Ilir Konushevci” në Ferizaj, i dyshuari, në cilësinë e menaxherit, ka ofruar motelin që menaxhonte për mundësimin e prostitucionit.
Prokuroria gjithashtu dyshon se gjatë muajit qershor 2026, i dyshuari ka mundësuar ushtrimin e prostitucionit duke punësuar një grua me inicialet B.Xh. për të ofruar shërbime seksuale me pagesë për klientët e motelit.
Sipas njoftimit, më 29 qershor 2026, pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, i dyshuari është kapur në flagrancë dhe është arrestuar nga zyrtarët policorë.



