Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar masën e dëbimit dhe ndalimin e hyrjes në Kosovë për tre vjet, si dhe gjoba për personat e ndaluar në Gazimestan gjatë shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, të cilët akuzoheshin për “shkaktim të trazirave dhe cenim të rendit dhe qetësisë publike”.
Masa e dëbimit dhe ndalimi i hyrjes në Kosovë vlejnë për shtetasit e huaj që nuk posedojnë dokumente të Kosovës.
Gjyqtarja e çështjes, Naime Krasniqi, tha se dokumentet nuk do t’u kthehen të 36 personave derisa ta paguajnë gjobën prej 700 eurosh.
Ajo e arsyetoi vendimin e gjykatës për t’i shpallur fajtorë me faktin se të akuzuarit kishin brohoritur “Kosova është Serbi” dhe duke ngritur tre gishtat lart, gjë që, sipas Krasniqit, konsiderohet mesazh nacionalist.
Ajo theksoi se Policia e Kosovës, para fillimit të shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, afër Prishtinës, i kishte paralajmëruar të pranishmit se ishte e ndaluar shfaqja e çdo simboli që nxit “urrejtje ndëretnike, fetare ose politike”.
Serbët nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit mblidhen tradicionalisht çdo 28 qershor në Gazimestan për të shënuar Vidovdanin, që është edhe festë fetare, në përkujtim të betejës kundër Perandorisë Osmane më 1389.
Ndërkohë, në opinion janë shfaqur pretendime se personat e ndaluar gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan janë keqtrajtuar “psikologjikisht dhe fizikisht” nga zyrtarët policorë të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa nga Inspektorati Policor i Kosovës kanë bërë të ditur se do t’i hetojnë këto pretendime, ato sipas detyrës zyrtare, megjithëse thanë se nuk kanë pranuar asnjë ankesë lidhur me ngjarjet në Gazimestan.
Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka dënuar ndalimet gjatë shënimit të Vidovdanit në Gazimestan, duke e vlerësuar këtë si një “akt të turpshëm dhe të padenjë represioni”.
Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që udhëheqësi i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, mbajti atje në vitin 1989.
Ky fjalim shpesh përmendet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.



