KESH i jep kompanisë nga Maqedonia e Veriut, Colenco Ltd. kontratën e konsulencës për parkun diellor 50 MW të Belshit

Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, i ka dhënë kompanisë Colenco Ltd. kontratën për shërbimet mbështetëse të Njësisë së Zbatimit të Projektit për parkun fotovoltaik të Belshit.

Njoftimi u publikua në platformën e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kontrata, e nënshkruar më 20 korrik 2026, ka një vlerë prej 425,695 eurosh. Përfundimi i saj është planifikuar për më 26 prill 2030. Colenco, me adresë në Shkup të Maqedonisë së Veriut, do të mbështesë KESH-in në zbatimin e projektit dhe në përmbushjen e kërkesave të dokumenteve të financimit dhe të politikave të BERZH-it.

Sipas njoftimit të kontratës, konsulenti do të ofrojë asistencë për strukturën organizative dhe procedurat operative të njësisë së zbatimit, prokurimin, tenderimin, administrimin e kontratave, raportimin dhe përmbushjen e detyrimeve mjedisore e sociale.

Shërbimet do të mbulojnë të gjithë projektin dhe jo vetëm pjesën e financuar nga BERZH-i. Kontrata nuk është e ndarë në lote. Tenderi për konsulencën u zhvillua me procedurë të hapur dhe me sistem me dy zarfe. Njoftimi fillestar u publikua më 18 nëntor 2025, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ishte 21 janari 2026.

Projekt fotovoltaik 50 MW

Projekti i Belshit parashikon ndërtimin e një centrali fotovoltaik tokësor me kapacitet 50 MWp në Shqipërinë qendrore. Vlera totale e parashikuar e projektit është 41.67 milionë euro, sipas njoftimit të përgjithshëm të prokurimit të BERZH-it.

BERZH-i ka siguruar një kredi të garantuar nga shteti shqiptar deri në 30 milionë euro në favor të KESH-it. Të ardhurat e kredisë do të përdoren për ndërtimin e impiantit diellor në zonën e Belshit. Projekti mori miratimin e bordit të bankës më 26 mars 2025. Njoftimi i prokurimit përcakton gjithashtu një grant prej 9.25 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, WBIF, për financimin e projektit.

Sipas dokumentacionit të BERZH-it, centrali pritet të prodhojë mesatarisht më shumë se 70 GWh energji elektrike në vit. Banka vlerëson se prodhimi i tij do të përfaqësojë rreth 1% të prodhimit vjetor të energjisë elektrike në Shqipëri.

Impianti do të lidhet me rrjetin e transmetimit në nivelin 110 kilovolt, përmes nënstacionit të Kajanit, rreth tetë kilometra larg zonës së centralit. Projekti përfshin gjithashtu ndërtimin e një nënstacioni të ri pranë parkut fotovoltaik dhe infrastrukturën përkatëse të lidhjes me rrjetin.

The post KESH i jep kompanisë nga Maqedonia e Veriut, Colenco Ltd. kontratën e konsulencës për parkun diellor 50 MW të Belshit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme