Tragjedi në Himarë, humb jetën një punonjës i OSHEE-së gjatë riparimit të një defekti në rrjetin elektrik pas stuhisë

Një punonjës 54-vjeçar i OSHEE-së humbi jetën në orët e para të së martës gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një avarie në rrjetin elektrik në Himarë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, në zonën e Potamit, ku ekipet e OSHEE-së po punonin për rikthimin e energjisë elektrike pas ndërprerjeve të shkaktuara nga moti i keq dhe erërat e forta.

Viktima, B.B., banues në Elbasan dhe i angazhuar si punonjës sezonal i OSHEE-së, ishte dërguar për të mbështetur ekipet lokale në eliminimin e defekteve në rrjet.

Sipas informacioneve paraprake, 54-vjeçari po punonte në një shtyllë elektrike për rilidhjen e një kabulli, kur dyshohet se rripi i sigurisë me të cilin ishte i lidhur u këput. Si pasojë, ai ra nga një lartësi rreth 9 metra dhe humbi jetën.

Policia bëri me dije se rreth orës 03:40 ai u transportua pa shenja jete në Qendrën Shëndetësore të Himarës.

“Rreth orës 03:40, në Qendrën Shëndetësore Himarë është dërguar pa shenja jete shtetasi B. B., 54 vjeç, banues në Elbasan, punonjës sezonal i OSHEE-së. Nga të dhënat paraprake dyshohet se shtetasi B.B., gjatë punës për riparimin e një defekti elektrik në një shtyllë, në zonën e Potamit, Himarë, ka humbur jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.

Rrethanat e plota të aksidentit mbeten ende nën hetim. Një nga pistat që po verifikohet është edhe mundësia që punonjësi të jetë goditur nga rryma elektrike. Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje, ndërsa ekspertiza teknike pritet të përcaktojë shkakun e saktë të kësaj ngjarjeje tragjike.

The post Tragjedi në Himarë, humb jetën një punonjës i OSHEE-së gjatë riparimit të një defekti në rrjetin elektrik pas stuhisë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme