Gazetar: Suad Bajrami
Anëtarët e Këshillit Gjyqësor miratuan ndryshimet dhe plotësimet e Rregullores për punën e Këshillit, në të cilën, përfshihen rekomandimet e Misionit Vlerësues të BE-së. Kryetarja e Këshillit, Vesna Dameva tha se ndryshimet që hyjnë menjëherë në fuqi parashohin llogaridhënie nga Këshilli dhe anëtarët e saj për vendimet e miratuara.
Konkretisht, Këshilli duhet të mbajë llogari që të mos i zgjedh për gjykatës, kandidatët të cilët janë të ranguar më poshtë në listë, ndërkaq anëtarët duhet detyrimisht të sqarojnë qëndrimin e tyre “për” ose “kundër” ndonjë kandidati që të bëhet gjyqtar apo kryetar gjykate.
“Me këtë ndryshim dhe plotësim të Rregullores, në seancë kur do të zgjedhet gjykatës ose kryetar i Gjykatës, do të zbatohet aktiviteti i masës. Nuk do të vazhdohet me atë praktikë që e kemi pasur, e dimë edhe vetë kur disa anëtarë nuk japin sqarim pse votojnë kundër, edhe pse sipas meje edhe në atë rast kanë qenë të obliguar ta sqarojnë qëndrimin e tyre. Pra do të jetë obligative dhe çdonjëri duhet të deklarohet pse voton për ose kundër”, deklaroi Vesna Dameva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Me ndryshimin e rregullores parashihet edhe përcaktimi i afateve që anëtarët e Këshillit të mos munden t’i mbajnë në sirtarë lëndët, pasi në të kundërtën do të ketë përgjegjësi.
“Hap i madh i Këshillit është edhe plotësimi i Rregullores me nen të ri 28-a i cili parashikon afate për veprim në të gjitha fazat e procedurës dhe kështu nuk do të ruhen ose të harrohen lëndë nëpër sirtarë. Me këtë ndryshim parashikohet që çdo veprim jashtë afateve domethënë veprim jo i përditësuar nga anëtari i Këshillit ose nga vetë Këshilli që në të ardhmen sigurisht do të bartë pasoja të caktuara ose të gjithë ne kolektivisht do të bartim pasoja përkatëse”, deklaroi Vesna Dameva, kryetare e Këshillit Gjyqësor.
VMRO-DPMNE-ja që së shpejti pritet të vijë në pushtet, ka premtuar se do ta shpërbëjë përbërjen aktuale të Këshillit Gjyqësor, pasi që e ka humbur kredibilitetin. Ajo propozon kornizë të re ligjore për Këshillin, i cili, gjatë periudhës së kaluar ishte në shënjestër të kritikave për shkak të një sërë skandalesh. /Alsat.mk