KËSHILLI I SIGURISË KONFIRMON PLANE PËR SULME NDAJ LIDERËVE TË KOSOVËS

Këshilli për Siguri i Kosovës, i cili dje u mblodh në një takim, ka njoftuar se institucionet përgjegjëse të Kosovës “kanë zbuluar veprime të disa individëve dhe grupeve të tyre, të lidhura me grupe dhe individë nga vende tjera jashtë Kosovës, të orientuara për destabilizimin e Kosovës dhe për rrezikimin e rendit kushtetues”.

“Grupe të tilla kanë planifikuar të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Këshillit për Siguri.

“Veprimet e tilla, vlerësohet se mund të jenë të lidhura me njerëz me të kaluar të dyshimtë, që punojnë me grupe dhe shërbime të disa vendeve  dhe mund të kenë lidhje me persona të inkriminuar në konflikte jashtë Kosovës, si dhe me vende të caktuara të cilat synojnë destabilizimin e Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Këshilli ka thënë se institucionet e Kosovës po ndërmarrin të gjitha veprimet për ruajtjen e rendit kushtetues, për sigurinë dhe mbrojtjen e jetës së liderëve shtetërorë dhe politikë dhe të njerëzve të tjerë të rrezikuar nga grupe të tilla kriminale.

“Këshilli për Siguri i Kosovës konsideron se synimet dhe aktet e tilla duhet të dënohen nga të gjithë qytetarët e Kosovës, nga Qeveria, Parlamenti dhe shoqëria civile. Ndërkaq, organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të ndërmarrin të gjitha masat ligjore për të parandaluar akte që rrezikojnë jetën e njerëzve, stabilitetin e vendit dhe rendin kushtetues dhe që bartësit e grupet e tilla të sillen para drejtësisë.”

Policia e Kosovës ka njoftuar të njëjtën se ka mobilizuar pjesëtarët e saj duke u kërkuar që të kthehen nga pushimi dhe të punojnë me orar të stërzgjatur.

Po ashtu, edhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka pasur një mobilim.

Një gjë e tillë ka ngritur shqetësim tek opinioni për një sulm të mundshëm terrorist në vend, marrë parasysh edhe një njoftim të Ambasadës Amerikane në Kosovë, që ka kërkuar nga qytetarët të bjnë kujdes gjatë këtyre ditëve.