Mustafa: S’do të ketë zgjedhje, Demarkacioni do të votohet

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nuk ka dhënë ndonjë afat se kur Qeveria do ta dërgojë në Kuvend marrëveshjen pë ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas shefit të Qeverisë, para se ta dërgojnë këtë dokument në Kuvend, duhet të konsultohen me partnerët në koalicion, PDK-në dhe Listën Serbe në mënyrë që t’i bindin deputetët që të votohet Demarkacioni.

“Për Demarkacionin do ta bisedojmë me partnerët e koalicionit me PDK dhe me Listën Serbe. Do të merremi vesh për momentin për momentin kur llogarisim se i kemi deputetët në Kuvend. Do të bëjmë presion edhe më tutje në Bashkimin Evropian që ta gjejmë një alternativë që mos të sfidohemi me këtë çështje në Kuvend, sepse konsideroj se është e mundshme të gjendet një alternativë e cila në një formë do të afatizonte që ne ta plotësojmë kriterin, por qytetarët të mos bartin pasoja të një sjellje të tillë të individëve në parlament”, tha Mustafa.

Gjatë vizitës të disa bizneseve në komunën e Prizrenit Mustafa është pyetur edhe rreth mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, për të cilat ai tha se nuk do të kenë nevojë për to pasi që Demarkacioni do të votohet.
“Unë besoj se deputetët do ta bëjnë punën e tyre dhe do të jenë të ndërgjegjshëm për situatën në të cilën jemi. Edhe këtyre bizneseve do t’u mundësojmë që këta mos të kenë problem të presin nga gjashtë muaj para ambasadave për të marr një vizë dhe për të shkuar me lidhë një kontratë biznesore jashtë”, tha Mustafa.

Gjatë qëndrimit në Prizren kryeministri është takuar me përfaqësues të bizneseve të kësaj komune, pastaj ka vizituar fabrikat “Abi” dhe atë për përpunimin e drurit “Hoti”./KP/