Këshilli opozitar mbyll aktivitetin, anëtarët e tij pritet të angazhohen politikisht

Këshilli Opozitar informon se mbyll aktivitetin e vet, pas një misioni, siç thonë ata, për bashkimin e subjekteve opozitare, me qëllim largimin nga pushteti të BDI-së dhe PDSH-së.

Ja komunikata e plotë:

“Këshilli Opozitar kishte mision të qartë, që shkonte përtej bashkimit të elitave partiake – ai synonte t’i bashkojë të gjitha forcat që do ta luftojnë dyshen e ligë BDI-PDSH. Pra, Këshilli Opozitar kurrë nuk ka vlerësuar se opozitarizmi fillon e mbaron te selitë e partive të sapoformuara ose të atyre që janë të dala nga nënat parti, që kaq vite e morën në qafë këtë popull. Me plot mburrje mund të themi se këtë mision Këshilli Opozitar e realizoi në mënyrën më të mirë, për çka dëshmoi edhe protesta madhështore e 9 majit në Shkup. Dhe, meqë ne si Këshill Opozitar nuk e kuptojmë bashkimin e forcave si bashkëveprim mes elitave partiake që kanë synim vetëm ardhjen në poste shtetërore, do të vazhdojmë me idealin që ta bashkojmë popullin, e jo politikanët, por tani këtë do ta bëjmë me forma të tjera, që nuk nënkuptojnë ndërhyrje në veprimtarinë e partive politike. Andaj ia bëjmë me dije opinionit publik se veprimtaria e mëtejme e anëtareve të këtij Këshillit Opozitar nuk e përfaqëson këtë këshill dhe tash e tutje secili është i lirë të veprojë ashtu si e sheh më të përshtatshme për vetveten dhe për shoqërinë shqiptare”