Gazetar: Zekirija Haxhiu
Këshilltarët nga radhët e AKI-së dhe të VLEN-it, sot braktisën seancën e Këshillit të komunës së Butelit pasi u refuzua kërkesa e tyre për rikthimin e paraleles në gjuhën shqipe në “Penko” dhe mundësia e pranimit të nxënësve nga Çairi të cilët banojnë në afërsi të objektit shkollor. Sipas këshilltarëve Ligji për Arsimin Fillor mundëson që të pranohen nxënës nga komuna të tjera vetëm nëse në shkollën fillore të komunës tjetër ka vende të lira, deri në plotësimin e kapacitetit të disponueshëm të paraleles, përkatësisht, deri në 30 nxënës.
“Ne atë propozim e dhamë. Ishte që paralelja të mbetet në funksion dhe të regjistrohen fëmijët e mbetur të cilët i takojnë atij regjioni afër shkollës “Petar Zdravkovski – Penko”, dhe të vazhdojë me funksionimin e saj dhe për vitin 2026/2027. Përgjigja ishte decide se nuk mundet të vazhdojë ajo paralele dhe vetëm se është fakt i kryer. E nxorëm në votim, normalisht na mbivotuan dhe na rrëzuan poshtë si pikë të rendit të ditës dhe ne u detyruam të lëshojmë mbledhjen”, deklaroi Linkest Lumani, këshilltar i AKI-së në Butel.
“Vendimi nuk e përjashton mundësinë e regjistrimit të këtyre fëmijëve, nëse plotësohen kushtet dhe ekziston kapacitet i lirë. Ajo që kërkojmë është zbatimi i drejtë dhe i njëjtë i rregullave për të gjithë fëmijët. Është e vështirë të kuptohet se si në shkolla të tjera të Komunës së Butelit, në paralelet në gjuhën maqedonase, pranohen nxënës nga komuna të tjera, ndërsa fëmijëve që jetojnë në afërsi të kësaj shkolle, u mohohet mundësia për tu regjistruar në shkollën më të afërt”, u shpreh Albesa Raman, këshilltare e VLEN në Butel.
Deri te Këshilli Komunal i Butelit, nga prindërit që u janë refuzuar fëmijët për t’u regjistruar, ka arritur një ankesë për diskriminim. Sipas dokumentit zyrtar, ata janë të revoltuar pasi për mësim në gjuhën maqedonase, janë pranuar fëmijë edhe nga komunat tjera. Ata kërkojnë që të kryhet inspektim i menjëhershëm i procesit të regjistrimit dhe të verifikohet nëse kriteret janë zbatuar njësoj për të gjithë nxënësit. Drejtoresha e “Penkos” ditë më parë vendosi mbylljen e paraleles së pestë me mësim në gjuhën shqipe për klasën e parë. Në arsyetimin e saj tha se ka zbatuar vendimin e komunës dhe është kujdesur që të mos rrezikohet mbyllja e paraleleve në Komunën e Çairit. Kreu i komunës së Butelit, Darko Kostovski mori në mbrojtje drejtoreshën duke u shprehur decid se në komunën e tij nuk mund të regjistrohen nxënës të komunave të tjera, përfshi edhe Çairin./Alsat.mk.
The post Këshilltarët e AKI-së dhe VLEN-it në Butel braktisin seancën, kërkesa e tyre u refuzua appeared first on Alsat.



