“Kështu e pësojnë ata që të hyjnë në hak!” -Plagosi inxhinierin e ERE për lidhjen jashtëmartesore me bashkëshorten e efektivit, zbardhet videoja Goxharës: Nuk ha dot djersën e familjes time…

Me datë 19 gusht kryeqyteti u përball me një ngjarje të rëndë, ku ish-efektivi tashmë, Erjon Goxhara, plagosi me 6 plumba inxhinierin e ERE-s, Lorenc Kosta, pasi dyshohet se ky i fundit ka pasur një marrëdhënie me bashkëshorten e Goxharës.


Gazetari i kronikës së zezë i Balkan Web, Igli Çelmeta, ka siguruar videon e bërë nga vetë efektivi pas ngjarjes së rëndë, i cili ka filmuar të lënduarin e shtrirë në tokë dhe i ka dërguar pamjet tek kunati i tij, Marsel Seferi (vëllai i bashkëshortes së Erjon Goxharës).

 Pjesë e shkëputur nga video, Lorenc Kosta i shtrirë në tokë i plagosur

Më poshtë do të gjeni zbardhjen se çfarë ka thënë efektivi përgjatë filmimit të të plagosurit. Për shkak të pamjeve të rënda video nuk mund të bëhet publike.

“Kështu e pësojnë të gjithë ata që u hyjnë njerëzve në hak, që u hynë në familje.

Ti të më mbash mua peng nusen për katër vjet, t’i hash lekët? Nuk e ha dot ti djersën e familjes time o k*rvë, nuk hyn dot ti në familjen time”, dëgjohet të thotë efektivi.

Më pas këto pamje të rënda i janë transmetuar drejt Seferit, të paktën kështu thuhet në dosjen hetimore.

Pamjet janë dërguar përmes aplikacionit Whatsapp rreth orës 14:34.

Ndërkohë rreth orës 15:00, Seferi, i cili është efektiv i forcave operacionale ka dërguar një mesazh, duke shprehur konfuzion dhe duke kërkuar sqarime: “Ça është kjo se s’po e kuptoj?”

Kujtojmë se Goxhara është lënë nën masën e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës teksa po zhvillohen ende hetime për ngjarjen e rëndë. Deri më tani ai akuzohet për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Akuza e fundit mbetet ende në shqyrtim pasi nuk dihet nëse ai ka përdorur armën e shërbimit (teksa ai ndodhej jashtë orarit të punës), apo ndonjë armë tjetër.

GRUAJA E POLICIT

Gjatë dëshmisë gruaja ka pranuar se ka pasur vetëm një herë raport intim vite më parë me Lorenc Kostën dhe pas këtij momenti, kontaktet me këtë të fundit kanë qenë vetëm për çështje pune.

Gruaja ka treguar se nga janari 2024, Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, “duke u fiksuar që mund ta tradhtonte e më pas presion psikologjik deri dhe dhunë fizike”, ndërsa një javë para se ta qëllonte me 6 plumba afër banesës së tij te “Komuna e Parisit”, ai e ka kërcënuar me jetë.

 Edhe djali ka pranuar se dy prindërit prej një muaji kanë pasur debate dhe mosmarrëveshje. Djali i çiftit ishte i pari që Ejron Goxhara mori në telefon pas plagosjes dhe me të cilin pasi shkoi në këmbë deri pranë Shkozës, shkuan me taksi në zonën e Thesarit pranë Dajtit, aty ku mundi t’u largohej me vrap dy kolegëve që e panë dhe i kërkuan të ndalojë. Në dëshminë dhënë në polici, djali tregon se ka shkuar më tej në drejtori për të folur me hetuesit i shoqëruar nga daja i tij, edhe ai efektiv policie.

Kam pasur një raport intim me shtetasin Lorenc Kosta. Kjo gjë ka ndodhur vetëm një herë, pas këtij momenti, kontaktet me Lorencin kanë qenë vetëm për çështje pune. Prej muajit Janar 2024 Erjoni ka shfaqur shenja xhelozie, duke u fiksuar që mund ta tradhtoja.

Fillimisht, pretendimet e tij për tradhti nga ana ime ishin pa ndonjë shkak të arsyeshëm apo bazë konkrete, saqë në vijim filloi të bëhej obsesiv dhe të më ushtronte presion psikologjik që unë t’i tregoja personin me të cilin e tradhtoja. Në fillim të muajit korrik, pas presionit të vazhdueshëm dhe dhunës fizike të ushtruar nga ana e Erjonit, unë i kam pranuar që e kisha tradhtuar vetëm 1 herë, vite më parë, me një kolegun e punës sime, shtetasin Lorenc Kosta.

Fillimisht Erjoni më ka thënë që t’i tregoj se do mi falë të gjitha, por pasi unë i kam treguar në lidhje me flirtin e hershëm me shtetasin Lorenc Kosta, ai është bërë keq dhe më ka ofenduar, sharë dhe ushtruar dhunë fizike ndaj meje. Një javë pas këtij konflikti, Erjoni, nga telefoni im ka komunikuar me Lorencin dhe e ka kërcënuar me jetë”, ka thënë ajo përballë autoriteteve.

NIPI I ERJONIT DHE KUNATI I INXHINIERIT

Ndërsa nipi i Erjon Goxharës pranon se daja i tij ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe “shpeshherë tregonte se do vriste veten”. Ai ka pranuar se dhe nusja e dajës së tij ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe e tronditur.

“Pasi ka mësuar tradhtinë, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike dhe shpeshherë tregonte se do vriste veten. Më 19 gusht, në prezencën time teksa pinin kafe në një lokal, Erjoni ka kërkuar që bashkëshortja t’i kërkonte falje, por që nuk ka ndodhur. Ai ka tentuar ta godasë, por unë nuk e lejova. E shoqërova gruan e Erjonit për në banesë, ndërkohë që ajo godiste veten me grushte në fytyrë”, ka thënë ai.

Në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale është pyetur dhe kolegu i Lorenc Kostës. Ai ka thënë se rreth orës 13:55 shtetasi Lorenc Kosta e kishte telefonuar duke i thënë që më qëlluan poshtë shtëpisë. Pasi ka shkuar në vend E.R e ka pyetur si është ndërsa Lorenci i ka thënë se e ka ndaluar shtetasi Erjon Goxhara, i ka thënë që do sqaronte diçka e më pas e ka plagosur me armë.

KUNATI I EFEKTIVIT

Marsel S., kunati i efektivit Erjoin Goxhara, i cili është në burg ka dëshmuar në polici se ky i fundit i ka dërguar një video pak pas ngjarjes. Pasi e qëlloi 6 herë me armë zjarri Lorenc Kostën, ai e filmoi të shtrirë në tokë dhe të gjakosur dhe më pas videon ia dërgoi kunatit të tij. “Nga deklarimi i shtetasit Marsel S., ndër të tjera ai sqaron se autori i dyshuar, shtetasi Erjon Goxhara, në orën 14:34 në aplikacionin ‘Whatsapp’ i ka dërguar një video ku shfaqej një person i shtrirë në tokë dhe i gjakosur, ndërsa në orën 15:00 shtetasi Marsel Seferi i ka kthyer mesazh: ç`a është kjo se s`po e kuptoj’. Nga ana jonë u këqyr telefoni i shtetasit Marsel Seferi ku videoja u ruajt në CD për t’iu bashkëlidhur procesverbalit përkatës”, – theksohet në dosje.

NGJARJA

Ngjarja ndodhi mesditën e 19 gushtin, në zonën e populluar të Tiranës, të njohur si “Komuna e Parisit”.

Fillimisht, efektivi Erion Goxhara ka zhvilluar një takim me bashkëshorten dhe nipin e tij, në një qendër tregtare.

U raportua se gruaja ka pranuar tradhti bashkëshortore ndaj Goxharës, e se nuk ka pranuar t’i kërkojë ndjesë efektivit. Sipas saj, tradhtia ka ndodhur vetëm një herë.

Pas përfundimit të kësaj bisede, Goxhara largohet nga bashkëshortja dhe zhvendoset pranë lagjes ku dhe ai banon.

Në këtë moment ai është ndeshur me 45 vjeçarin, Lorenc Kosta dhe për shkak të motivit të xhelozisë ai ka nxjerrë armën e shërbimit e ka vërshuar 6 plumba mbi të.

Besohet se Kosta është personi me të cilin e ka tradhtuar bashkëshortja efektivin.

Pasi e la të mbuluar me gjak, e filmoi atë çfarë bëri dhe videon ia dërgon kunatit të tij, teksa u shpreh :“Kështu e pësojnë të gjithë ata që u hyjnë njerëzve në hak, që u hynë në familje. Ti të më mbash mua peng nusen për katër vjet, t’i hash lekët? Nuk e ha dot ti djersën e familjes time o k*rvë, nuk hyn dot ti në familjen time”.

I plagosuri, aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Në deklarimet e dhëna para oficerëve të Policisë Gjyqësore në prezencë të psikologut, djali efektivit ka konfirmuar konfliktet mes prindërve të tij që nga mesi i korrikut, kohë kur sipas tij, e ëma pranon dyshimet e Goxharës për lidhjen jashtëmartesore me Kostën.

Ndaj Erjon Goxharës rëndon akuza e vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë. Ai pritet të dalë ditën e sotme para Gjykatës së Tiranës, ku edhe do të njihet me masën e sigurimit personal.

DOREZIMI

Pas më shumë se 48 orësh në arrati, efektivi i policisë, Erjon Goxhara, i cili plagosi me 6 plumba inxhinierin e ERE, Lorenc Kostën te zona e ‘Komunës së Parisit’ në kryeqytet, është vetëdorëzuar në polici në datën 21 gusht.

Efektivi, tashmë i shkarkuar nga detyra, kishte edhe armën e shërbimit me të cilën dyshohet të ketë kryer veprën penale. 46- vjeçari qëlloi në pjesën e poshtme të trupit inxhinierin e ERE, pasi ky i fundit dyshohet se kishte lidhje me gruan e efektivit.

“Në vijim të informacionit të dhënë më datë 19.08.2024, për ngjarjen e ndodhur në afërsi të një marketi në rrugën ‘Tish Daija’, sot rreth orës 17:00 është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, së bashku me armën e shërbimit me të cilën ka kryer veprën penale, shtetasi Erjon Goxhara, 46 vjeç. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, – njofton policia.

Djali i policit i tregoi policisë se e kishte takuar të atin dhe se në bisedën që kishte pasur me të ai, ka qenë shumë i tronditur. Po ashtu kanë qenë të shumtë miqtë dhe kolegët që e kanë telefonuar që ai të dorëzohej, ndonëse djalit iu kishte betuar se nuk do ta bënte një akt të tillë. Efektivi tani do të jetë nën tri akuza të rënda.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme