Nisur nga një debat që ka pasur në Klan Kosova në emisionin “Zona e Debatit”, Edi Rama ka shpërthyer sot në Facebook në një flajim histerik kundër mediave, gazetarëve, analistëve e faqeve online duke i etiketuar me fyerjet më të rënda dhe me epitetet më të papërshtatshme (shiko videon poshtë).
I gjithë ky monolog mund të kundërshtohej në emër të ndarjes dhe respektimit të pushteteve sepse nuk ka Kryeministër në botë, që shpërthen kështu kundër mediave të vendit të tij. Për shumë më pak sesa kaq, Sali Berisha është shpallur ‘armik i lirisë së shtypit”.
Ai mund të kundërshtohej edhe në emër të një taktike që po ndjek rëndom kryeministri. Ndërkohë që ai po e mbyll mandatin me një bilanc katastrofal, ai ka hapur luftë në shumë fronte duke thënë se fajin e ka opozita, e kanë gjykatat, e kanë tani së fundin edhe mediat. Pra me një flalë ai do të krijojë fabulën e Ramës që jeton në ishullin e së mirës (në kështjellën e tij miliardëshe në Surrel, dhe meqë ra fjala, le ta hapë një ditë atë për mediat, që të shohin shqiptarët se ku jeton) dhe të të gjithë të tjerëve që e luftojnë atë nga pozita e së keqes.
Ai monolog mund të kundërshtohej edhe nga pozita e një kryeministri që po i plasin skandale përditë, ndaj dhe shpërthen ndaj mediave që nuk i kontrollon dot siç bën edhe me televizionet e blerë me leje ndërtimi, me kioska qytetesh, apo me benefite në naftë.
Por, ne të Lapsi.al nuk do ta bëjmë këtë. Ne e shohim në një mënyrë tjetër.
Për ne fatkeqësisht Rama ka të drejtë.
Një sërë televizionesh shqiptare janë kthyer vërtet në makineri shpifjeje, që nuk i shërben më prej kohësh interest publik. Një sërë gazetash tradicionale janë shndërruar në fabrika të palexueshme gjobash.
Një sërë faqesh online as nuk janë hapur, as nuk militojnë për të thënë të vërtetën, ato i shërbejnë vetëm interesave të partiakëve apo biznesmenëve të veçantë.
Këtu Rama ka të drejtë.
Por ajo ku ne hedhim poshtë me neveri monologun e tij haluçinant është tjetër.
Për ne Edi Rama është një nga fajtorët kryesorë të kësaj gjendjeje ku lëngon media shqiptare.
Nëse duhej ngritur një gijotinë për këtë krim, koka e tij duhej të vihej e para në radhë.
Eshtë ai që u denoncua në Prokurori nga paraardhësja e vet socialiste në Ministrinë e Kulturës, se i privatizoi ish-mikut Koço Kokëdhima, me një praktikë të denjë për burg, gazetën “Sporti Popullor”. A ka ai një shpjegim për këtë?
Eshtë ai që në krye të Bashkisë së Tiranës shpiku praktikën e shndërrimit të botuesve në ndërtues dhe të ndërtuesve në sipërmarrës mediatikë. A ka ai një shpjegim për këtë?
Eshtë ai që e filloi mandatin si kryeministër duke ofruar për pronarët e mediave parkingjet me pagesë të Tiranës, leje ndërtimesh në parkun kombëtar dhe në bregdet. A ka ai një shpjegim për këtë?
Eshtë ai që është bërë barcaletë sepse ka në celularin e tij edhe numrat e kameramanëve që u tregon si duhet ta shfaqin në kronika. A ka ai një shpjegim për këtë?
Është ai që shpiku raportimin e lajmeve me kaseta dhe pa praninë e gazetarëve duke përfituar nga blerja që i kishte bërë pronarëve. A ka ai një shpjegim për këtë?
Eshtë ai kryebashkiaku i parë që iu nënshtrua një gjobe, dhe që dha një leje marramendëse për një pallat vetëm që mos transmetohej një emision që tregonte pjesën e ajsbergut të abuzimeve të tij në Bashki. A ka ai një shpjegim për këtë?
Edi Rama është injektuesi i metastazave të kancerit nga i cili po lëngojnë sot mediat shqiptare.
Edhe tani në detyrën e kryeministrit ai drejton një vend ku televizionet më të mëdhenj janë në kushte flagrante paligjshmërie. Kur kanë pronësi të fshehta, përqindje me emra të rremë, aksione aty ku ligji ua ndalon.
Në kohën e tij po lulëzojnë TV-të kombëtare kioska familjare, me nga vetëm një pronar dhe të afërmit e tyre të shpërndarë në postet më të rëndësishme drejtuese.
Dhe po të dojë, Edi Rama ndërhyn ta rrgullojë këtë gjëndje paligjshmërie? Po a e bën? Natyrisht që jo.
Se ai është peng i pronarëve dhe oligarkëve. Vjedh me ta Shqipërinë për të qëndruar në pushtet dhe ngaqë nuk ka ç’i bën kësaj kaste, marrëdhënia me të cilën po e rrënon në publik, merret me gazetarët, opinionistët dhe faqet online.
Pra thënë këtë, ne si Lapsi.al, mendojmë se Edi Rama ka të drejtë për atë që thotë për një pjesë të mediave. Por ne mendojmë gjithashtu se ai është në pozicionin më të keq për të bërë këtë propogandë.
Pasi, ai është një nga faktorët e kësaj katrahure. Eshtë ai si ortak në krim me pronarët-ndërtues që e ka bërë peisazhin mediatik të lëngojë kaq rëndë.
Prandaj të ketë së paku mirësinë të heshtë sesa të prodhojë shfaqe të tilla mashtrimesh të neveritshme, që sot nuk i beson më askush. (Lapsi.al)