Kim Mehmeti analizon 2022-shin te “5pyetjet.al”: Ku po shkojnë shqiptarët?

Nga Dylber Balla

Pak orë na ndajnë nga mbyllja e vitit 2022. Një vit i vështirë për shumë qytetarë që pas koronavirusit po përballen me rritjen e frikshme të çmimeve. Debate politike shterpë me grindje, protesta dhe akuza. Bilanci? Nga dita në ditë akoma më shumë shqiptarë po largohen. Për ta analizuar situatën në tërësi, përtej krizës aktuale, çfarë fituam dhe çfarë humbëm nga viti që po mbyllim dhe çfarë të presim nga viti që po nisim, “5pyetjet.al” bisedoi me publicistin e mirënjohur Kim Mehmeti, i cili bëri një “skaner” të problemeve jo vetëm të gjendjes brenda Shqipërisë, por edhe në trevat ku jetojnë shqiptarët.

Intervista e plotë e Kim Mehmetit për “5pyetjet.al”

Zoti Mehmeti, si ka qenë viti që po mbyllet për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri?
Vitet që vijnë e shkojnë, varet me cilët kohë i krahasojmë. Andaj nëse vitin që lëmë pas e krahasojmë me dekadat socialiste, atëherë shqiptarët e kudo ndodhur, sot janë më mirë se dikur, por më keq seç duhej të ishin. Dhe viti i shkuar ata i shpërfaqi ashtu siç janë: me të shkuar të copëzuar, të sotme pa ndonjë projekt të përbashkët mbarëshqiptar dhe pa të ardhme të qartë. Shikuar nga ky këndvështrim, Shqipëria nuk u bë për shqiptarinë shembull se si ndërtohet e mbrohet shteti, por e kundërta: shembull se si kriminalizohet e privatizohet shteti, se si natën, si të ishin hajdutë të lagjes, pushtetarët shkojnë dhe e rrënojnë Teatrin Kombëtar. Pastaj ajo nuk u bë mbrojtëse e vlerave shqiptare, por rrënuese e tyre. Siç nuk u bë mbrojtëse e interesave mbarëshqiptare, por e projekteve serbo-ruse, si ai i ‘Ballkanit të Hapur’, që ia lehtëson Serbisë bllokimin e kufijve të Kosovës dhe që ia mundëson ta mbulojë të shkuarën e të sotmen e saj antishqiptare. Shkurt e shqip: shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës e Shqipërisë, e kryesisht ata të Çamërisë, të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi, ndjehen thuajse si popull pa mëmëdhe, si të marr peng nga shteti ku jetojnë. Madje ata ndjehen edhe të turpëruar nga Tirana zyrtare ku politika ka rënë në rrafshin e grindjeve që mund t’i dëgjosh vetëm në ‘pazarin e grave’ dhe nëpër ‘shtëpitë publike’.

Ku po shkon qeverisja në Shqipëri?
Në kazanin politik të Shqipërisë, e i cili vlon pa ndalë, nuk gatuhet asgjë tjetër përpos grindje, përçarje dhe mjegull që e mbulon të vërtetën për një Shqipëri të cilën e jetojnë ‘Rilindësit’ dhe e vuan populli. Për një Shqipëri ku pushtetari e qytetari dallojnë mes veti sa furrxhiu dhe i urituri për bukë. Në Shqipëri thuajse nuk ekzistojnë parti, por ‘sekte politike’. Andaj PS-ja as që ekziston, ajo është marr peng nga një grusht ‘Rilindës’ që u bënë pronarë të mëmëdheut. Dhe populli shqiptar do e ketë gjithnjë e më vështirë që ta rikthejë pronën e vet – Shqipërinë, dhe atë ta çlirojë nga pengmarrësit. Viti 2023 do shënojë o fundin e zhbërjes së shtetit, o kalbjen e tij të plotë. E për çka nuk do jenë fajtorë vetëm ‘Rilindësit’, por edhe gjithë ne që shtiremi se nuk e shohim se Shqipëria e sotme nuk i burgos dhe nuk i pushkaton shkrimtarët e artistët si ajo e Enverit, por e pamundëson ekzistimin e letërsisë dhe artit, se ajo tani nuk u tregon gazetarëve se çka të shkruajnë, por ua dërgon mediave  të gatshme gënjeshtrat që ato duhet t’i publikojnë.

Si e shikoni vitin 2023 për Kosovën, rritje tensionesh apo marrëveshje me Serbinë?
Kosova është duke e rikthyer dinjitetin politik. Siç është duke e rikthyer  vetveten aty ku ka qenë gjithmonë: si djep i krenarisë dhe atdhetarisë shqiptare. Për fat të keq të Kosovës, sot është duke ndodhur diçka perverse dhe e pabesueshme, por e vërtetë: shpeshherë, një pjesë e opozitës kosovare dhe Tirana zyrtare, më shumë e dëshirojnë dështimin e qeverisë aktuale të Kosovës se sa atë të Vuçiçit. Andaj, para se t’i përgjigjemi pyetjes se kur do arrihet marrëveshja Serbi-Kosovë, ne do duhet t’i përgjigjemi pyetjes: si lejuam që fatin tonë kolektiv ta përcaktojnë ata që më të afërt e ndejnë Beogradin se sa Prishtinën. 

A keni një koment për deklaratën e kryeministrit grek Micotaqis që foli për vetëvendosje të minoritetit në Himarë dhe heshtjen e qeverisë shqiptare?
Përderisa kemi politikanë që janë shumë ‘mendjehapur’ e ‘properëndimorë’, por aspak proshqiptarë, burrështetasit e vendeve fqinje, shqiptarinë do e trajtojnë si kopsht pa rojtarë. Dhe përderisa kemi burrështetas që nuk guxojnë kolegëve të tyre grek t’ua përmendin çështjen çame, ne do mbetemi popull që e shton numrin e banorëve të botës, por e pakëson atë të shqiptarëve, duke u shpërndarë nëpër viset e huaja. Andaj edhe burrështetasit e Greqisë, ku jetojnë e punojnë me qindra mijë shqiptarë, ndaj Shqipërisë sillen si ndaj një vendit i cili, lëre që nuk mund të kërkojë drejtësi për krimet që i janë bërë në të shkuarën, por nuk është i aftë ta mbrojë as të sotmen e popullit të vet.

/5pyetjet.al

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme