Kim Mehmeti, rrëfimet maestrale të Gjyshes

Mbi romanin Shpërngulja e të vdekurve, të shkrimtarit Kim Mehmeti

Nga Ali Aliu

Është romani i dytë i Kim Mehmetit që nuk e kam lexuar në dorëshkrim. Fjala është për një shkëputje të shkurtër kohore nga ndjekja hap pas hapi e këtij shkrimtari të shquar dhe me krijimtari të pasur. Po e përmend këtë detaj që ka lidhje me një nga kategoritë e poetikës romanore të këtij autori, siç është koha, për të theksuar, me këtë rast, të njohurat dhe të panjohurat që sjell Kim Mehmeti me çdo vepër të tij të radhës, pra edhe me romanin “Shpërngulja e të vdekurve”  të cilin, siç e thashë, nuk e kam lexuar si gjitha veprat e tij të mëparshme – para se të botohet. Edhe atë për arsye se na u bënë të largëta hapësirat jetësore – Prishtina e Shkupi, ashtu siç ndodh shpesh në veprat e Kimit, në të cilat gërshetohen kalendarët dhe hapësirat jetësore të personazheve që jetojnë jo vetëm aty ku janë dhe me ata që i kanë pranë, por edhe atje ku duan të jenë dhe me të munguarit që jetojnë në imagjinatën e tyre. Natyrisht, ajo që është e veçantë e Kimit, që mbetet konstante dhe që ka të bëjë me stilin e kësaj natyre krijuese që bie në sy me fjalinë e parë, – shumë shumë me paragrafin e parë, është poetika narrative, fuqimisht dalluese. Është fraza e zgjeruar, që, në të parë ke përshtypjen se shtrihet rehatshëm në hapësirë, që ndërron mendje shpejt, pasi të rrëmben ndjesia se bëhet fjalë për një rrëfim të ngjeshur dhe të ngarkuar me detaje të përzgjedhur me rigorozitet dhe se secili është në funksion të caktuar drejt shtratit unik. Ajo që është kategori konstante edhe me këtë rast, pra me romanin në fjalë, është hapësira, është gjeografia narrative e Kim Mehmetit dhe që kryesisht shtrihet në fshatrat shqiptare të kodrave perëndimore të Shkupit, hapësirë kjo që vazhdimisht zgjerohet, bën kërcime të shpeshta jashtë këtij rrethi, ndërfutet dhe integron oaze të shkëputura nga gjiri i etnisë dhe, të gjitha ato japin dhe marrin me kodrinat e mbi Shkupit. Një si zonë së cilës i kthehet më shpesh, siç do të ndodhë edhe me këtë roman, është fshati Shkretë i Rekës së Epërme, nga e ka origjinën e rrënjës së të parëve Kimi dhe fisi i tij, por edhe familjet e tjera të fshatit Sukë dhe përreth tij. Kimi do të bëjë vazhdimisht kërcime, duke gjetur lidhje të hershme të traditës, në mes mbikodrinave të Shkupit dhe Çamërisë. Do të bredhë ndonjë personazh i tij edhe nëpër vendbanime dhe lagje nga Lindja e Mesme, Turqia dhe vende tjera, do të krijojë në këtë mënyrë oaze shqiptare të shpërndara, duke i vënë gjithnjë në lidhje me matricën etnike që tashti është bërë Makondo frymëzuese për shkrimtarin Kim Mehmeti.

Shtylla tjetër e poetikës narrative të tij, hapësira-kohë, kryesisht shtrihet brenda harkut kohor të shekullit XX, dhe, me rastin e romanit në fjalë vjen deri në ditët tona. Natyrisht, shpesh ajo prek zona edhe të shekullit XIX. Koha vjen valë pushtimesh të kësaj hapësire, që nga ajo osmane dhe pushtimet sllave, serbi i parë, serbi i dytë, bullgari, dhe si të tilla ato mbërthejnë fatet e banorëve të kësaj hapësire, të cilët në të gjitha veprimet e veta rrezatojnë një rezistencë të heshtur, të brendshme, një frustrim të pavetëdijshëm, të pambarim për të ruajtur qenien fizike dhe për të vazhduar popullimin e hapësirës. Çdo gjë në jetën e banorëve, personazheve të kësaj hapësire, ka vulën e pushtuesve ndër shekuj. Në përmasa të tilla funksionon gjiri familjar, intim, brenda këtyre përmasave zhvillohen të gjitha ligjëshmëritë e ekzistencës, ritualet, lindja, dashuria, martesat, morti, mënyra e të rezistuarit, çdo gjë ka këtë shije. Në këtë udhëkryq kohe dhe hapësire gjeografike sjell rrëfimin e vet narratori, që me këtë rast është një pinjoll i familjes Syla të Sukajve dhe që të kaluarën e sjell kryesisht edhe përmes gojës së stërgjyshes, gjyshes dhe nënës, gjithnjë duke alternuar me rrëfimin e vet, që nga koha kur fillon të mbajë mend e këndej.

Në pleksjen e rrëfimeve të shumta, ku parakalojnë dhjetëra e dhjetëra personazhe, Kim Mehmeti, me këtë rast bën një zhvendosje të burrërimit të banorëve të mbikodrinave shkupjane. Në të vërtetë, për herë të parë e thotë në mënyrë më të drejtpërdrejtë, më të qartë dhe më bindëse se shtylla e parë e qëndresës për të mbijetuar në Sukë është gruaja. Bindja e tillë jo vetëm që përcillet si rrëfim i  stërgjyshes, e cila e kishte të gjallë në memorie kohën e çrrënjosjes nga fshati Shkreta të Rekës së Madhe, por edhe nguljen në hapësirën e re pranë Shkupit, së bashku me farefisin. Në tërë këtë golgotë çrrënjosje-rrënjosje gruaja është thelbi i ekuilibrit dhe qëndresës edhe atëherë kur nuk ndodh diçka e veçantë si bëmë e shënuar, vetvetiu dhe natyrshëm ato, gratë, rrezatojnë me qëndresën, me sjelljen, me ngrohtësinë që ia ofrojnë familjes, fëmijëve, por edhe me qetësinë urtake për ta përtërirë dhe ruajtur qenien, etninë. Sidomos shkëlqejnë atëherë kur autori, Kim Mehmeti, edhe pse me një diskrecion elegant, ai e lë të kuptohet se pikërisht burrat në këto anë kanë më shumë paradispozita për t’u nënshtruar përballë të huajve dhe që vetëm krah grave ata dinë në momente ta marrin veten. (“…. burrat e atyre anëve ishin të vrazhdë ndaj grave të tyre, ngaqë vetëm ashtu mund ta mbulonin nënshtrimin e tyre ndaj sunduesve….”). Por t’i kthehem prapë poetikës narrative aq të veçantë të këtij prozatori. Fundja ashtu siç ndryshojnë njerëzit, edhe shkrimtari, sa më i talentuar të jetë, aq më të veçantë e ka natyrën e rrëfimit, aq më të veçantë e të papërsëritshëm stilin. Proza e Kim Mehmetit, siç thashë, dallon që në frazën e parë, e cila në fillim të mashtron me tepricë fjalësh, e që në thelb është krejtësisht e kundërta. Pikërisht këtë veçori hasim që në fjalinë e parë të romanit, narratori vë në plan të parë ngasjen që i bën Kulla memories së tij dhe që do ishte argument i mjaftueshëm për ta nisur rrëfimin pikërisht nga Kulla. Autori, përkatësisht narratori, rrugës, brenda të njëjtës fjali do të sjellë në vëmendjen e lexuesit se ato, kullat pra, për çdo ditë rrallohen, insiston të sjellë në vëmendje zhdukjen e një tradite, që gjithashtu do ishte i mjaftueshëm si shqetësim më vete. Ngarkesa bartëse ecën edhe më tej me  imazhin që sjell  gjyshja krah Kullës, rrethuar  nga nipër dhe mbesa të shumtë, që presin pa durim të fillojë rrëfimin e kullës, ngrohtësia që rrezaton ajo në mesin e tyre, në gjirin familjar, të gjitha ngarkesa shtesë. Pikërisht të tilla janë fjalitë e zgjeruara të Kimit, që ende pa filluar mirë, pa u zhvilluar mirë, ato marrin sa majtas sa djathtas detaje që lexuesi i kujdesshëm e zbulon funksionin e veçantë të tyre në degëzimin tërësor të rrëfimit romanor. Prandaj, fjalia narrative nuk e bën degëzimin fabular të pandërprerë, por degëzohet oazash të pavarura, degëzohet vatrash, në dukje të shkëputura dhe që lexuesi mund të ketë përshtypje që ndonjëra nga ato edhe mund të mbetet në harresë, e ndodh e kundërta: menjëherë pa pritur e kujtuar ato shfaqen, përftojnë vetëtimthi, fshihen rishtazi, që të shfaqen përsëri, nganjëherë edhe përmes shenjave e shenjëzimeve. Të gjitha ato janë fije të dukshme dhe të padukshme narrative, por që narratori i mban nën kontroll të përsosur. Duket nganjëherë se kështu mund të ndodhë edhe me X personazh, e që asnjëherë nuk qëllon që ai të mos ketë ruajtur një fije të gjallë nën tokë dhe që në ecje e sipër të shfaqet, dhe ti atëherë e ndjen se si narratori e përthekon, e kopsit tërë hapësirën gjeografike dhe kohore në mënyrë maestrale. Dhe në të vërtetë kjo është veçori kryesore e poetikës narrative të Kim Mehmetit, shpesh si varg asociacionesh që krijojnë tërësinë e mozaikut romanor, e që lidhja e mozaikut është konstante, e sigurt dhe e besueshme.

Ka një magji të posaçme në poetikën narrative te Kim Mehmeti. Në fillim të fjalisë, të frazës, Kimi vjen i rrëmbyer së jashtmi, por tejet i përmbajtur së brendshmi. Vjen si një ardhje uji që në nisje duket e furishme, por që sakaq shtrihet në gjerësi qetë – qetë dhe gjithëpërfshirëse. E veçanta edhe më çudibërëse në këtë poetikë narrative është kur ndonjëherë Kimi do ta çojë ujin përpjetë dhe që në çast lexuesit mund t’i duket e pamundur. Ai ndërsa insiston me këmbëngulje dhe ia arrin bërjes që dukej e paarritshme. Janë mbresëlënëse nga fundi i romanit disa detaje të kësaj natyre. Njëri lidhet me personazhen e njohur, emblematike të Kim Mehmetit, Fatushja. Është bukuroshe e këtij anamali, personazh që edhe kur nuk është në veprim ajo rrezaton dritë të fuqishme në natyrë, në ambient kudo shfaqet. Nga një çerdhe e ngrohtë familjare dhe Kullë të qetë, ajo do të pësojë një nga gjëmat më tragjike: i vetmi vëlla që ka ajo, do t’i kthehet në arkivol, që të kujton ditët famëkeqe kur nga fundi i shekullit XX shumë të rinj shqiptarë që si ushtarë shërbenin në ushtrinë e armatës jugosllave, likuidoheshin rrugëve misterioze. Së shpejti vdekja e tillë e vëllait të Fatushes do t’i marrë shpejt edhe prindërit e tij dhe në Kullë do të mbetet fillikat Fatushja, e fejuara e Demës, të atit të narratorit të romanit. Fatushja do të vendosë që të mos martohet, ta mbajë Kullën hapur dhe ngul këmbë që Dema, i fejuari i saj, të martohet me të fejuarën e të vëllait të saj. Do të mundohen të gjithë rreth saj për ta zhbindur Fatushen nga ky vendim, gjë që nuk ia arrijnë. Përkundrazi Fatushja do ta mbajë gjallë Kullën, do ta bindë Demën të martohet me ish të fejuarën e vëllait dhe do të përjetojë pleqëri të thellë. Çudibërja edhe më e pabesueshme e Fatushes do shpërthejë me testamentin që ajo ua lë sukjanëve pas vdekjes: i lut, përkatësisht i ngarkon ata me kërkesën që ta varrosin në fshatin e largët Shkreta të Rekës së Epërme, atje ku prehen eshtrat e stër-stër të parëve. Do të hutohen banorët e mbi Shkupit shqiptar në fillim, por lutjen testamentare të Fatushes do ta përkrahin me zell të rinjtë dhe ndodh çudia: është i pafund vargu i kortezhit drejt fshatit Shkreta. Raste të tilla në poetikën narrative të Kim Mehmetit, të një natyre që kujton se mund të pranohet më përpara uji të çohet përpjetë se sa një ide e shfaqur, e që me kohë Kimi mbërrin ta bëjë jo vetëm të pranueshme por edhe te besueshme.

Në këtë roman, mbase si në asnjë vepër tjetër të tijën, autori rrëfen dhe zbulon disa nga kodet narrative të poetikës së tij. Duke komentuar dhuntinë e gjyshes për të rrëfyer bukur, Kim Mehmeti, do të thoshim me dashje e lejon lexuesin të përgjojë disa të fshehta të poetikës së tij romanore, të fshehta që ndodhin vetëm në studion e autorit. Kështu, sipas nipit narrator, rrëfimi i gjyshes jo vetëm që të nxiste të “….paramendoje pamjen e njerëzve për të cilët rrëfente, apo të ringjallje ngjarjen që përshkruante, por edhe të ndieje flladin, apo të nxehtin që kishte pllakosur fshatin ditën kur, për shembull, banorët e atyshëm kishin dalë tek oborri i xhamisë dhe nga aty kishin përcjellë me shikim largimin e Sylës nga fshati, të cilit gjyshi im i kishte dhënë urdhër t’i merrte rrangallat dhe ta braktiste kullën ku kishte lindur e ku ishte burrëruar, dhe që menjëherë pas kësaj fraze ai edhe konkretisht do të sjellë një paragraf dëshmie të kësaj dhuntie narrative të gjyshes: “Toka u bë mjegull, e mjegullat u bënë baltë, por megjithatë, të gjithë dolën te xhamia, apo nëpër çardakët e kullave, që nga aty të shihnin Sylën tim, i cili para se të hapte portën e të braktiste oborrin, disa herë ktheu kokën nga kulla, por unë nuk ia dola ta shoh nga ajo baltovinë e mjegullt!”.

 Dhuntia më dalluese në mjeshtërinë e rrëfimit të gjyshes ka të bëjë dhe lidhet me kategorinë kohë, që në gjithë krijimtarinë romanore dhe tregimtare të Kim Mehmetit është shtyllë konstante e poetikës. Ja si i zbulon gjyshja kodet e saj narrativë në këtë roman: “gjatë të rrëfyerit, gjyshja aq mjeshtërisht rrëshqiste nëpër kohë e nëpër hapësira të ndryshme, sa në çastin kur mendoje se i është ngatërruar rrëfimi dhe se i janë përzier kohërat e vendet ku kishte ndodhur ngjarja, pra kur të dukej se as ajo vetë më nuk e dinte për çka rrëfente, përnjëherë të kthente në vendin që kishte përmendur më parë thuajse kot më kot, apo papritur, ngjarjen e re e ndërlidhte me ndodhitë e mëhershme për të cilën kishte rrëfyer, e që kishte mbetur si ujdhesë”. Në këtë fryme e komenton, e sqaron kodin e poetikës narrative të gjyshes autori, herë duke e krahasuar me udhëtarin që ecën natën e stuhishme nëpër pyll e që arrin ta gjejë dhe ruajë rrugën falë vetëtimave të herëpashershme që përftojnë mbi copat e ndriçuara kohore sidomos por edhe hapësinore prej fanarëve. Herë i dekodon ato përmes shenjave të tërthorta, duke u lidhur me një ferman sulltanati a mbreti, herë sipas një lufte apo beteje të njohur, apo sipas një ushtrie të radhës dhe herë duke ia ofruar mundësinë, përkatësisht kënaqësinë lexuesit që ai vetë të bëjë lidhjen e copave të ndriçuara dhe atyre në terr…Thjesht një mrekulli rrëfimi që shkrimtari Kim Mehmeti e “mëson” nga gjyshja.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme