Nga Kim Mehmeti
Ja pse më qeshet kur Kryeministri i Shqipërisë thotë se është i zgjedhuri i popullit!
Sepse në Shqipëri, kryetarët e partive janë kryesisht të pëlqyerit dhe të zgjedhurit e olirgakëve, e madje edhe të qarqeve kriminele.
Sepse kryetarët e partive i zgjedhin kandidatët për deputet, të cilët i ‘mbulojnë’ me emblemën e partisë, që votuesit të mos e shohin kënd votojnë!
Sepse deputetët e partisë fituese të zgjedhjeve, e zgjedhin për kryeministër kryetarin e partisë së vet, pra votojnë për atë që e ka bërë zgjedhjen e tyre.
Sepse Kryeministri e zgjedh kandidatin për president të vendit, e të cilin e votojnë deputet e partisë së tij – të zgjedhurit e tij.
Pra qeshi nga halli dhe nga pamundësia që ta kuptojë si është e mundur që mëmëdheu im të mos ketë asnjë burrështetas të zgjedhur nga populli, e të gjithë të thirren në emër të shqiptarisë?!
Qeshi pra nga pamundësia ta kuptojë pse Shqipëria, me mbi njëqind vite traditë shtetërore, nuk e ka arritur as shkallën e demokracisë së Maqedonisë, ku në mos më shumë, presidentin e zgjedhë populli!
Tani mund të më shpjegojë dikush se cili është i zgjedhuri i popullit në Shqipëri? Apo me çka dallojnë zgjedhjet e sotme demokratike të mëmëdheut, nga ato të deridjeshmet të Xhaxhit Enver!?
Mbase vetëm pse sot në Shqipëri ka më shumë ‘Parti të Punës’! (Kim Mehmeti)/sakte.net