Nga Kim Mehmeti
Në fotografitë që e shoqërojnë këtë koment shihet filozofia dhe kultura e gjelbër e drejtuesve të BDI-së, e praktikuar nëpër vendbanimet shqiptare gjatë dy dekadave të shkuara.
Dy dekada me radhë, drejtuesit komunal të kësaj partie, i shndërruan lumenjtë dhe bukurit natyrore në gropa septike e deponi plehrash, duke zaptuar e grabitur çdo pëllëmbë të tokës shtetërore dhe duke përvetësuar brigje lumenjsh, lëndina e livadhe pa ‘pronarë’.
Dhe po ata drejtues të përjetshëm komunal, edhe në këto zgjedhje vendore e kërkojnë votën e popullit, mbase që në të ardhmen ta pastrojnë plehun që kanë lënë pas vetes, përfshi edhe qelbësirat politike që e helmuan shoqërinë e këtushme shqiptare.
Por në gjithë këtë rrëfim për ne shqiptarët e Maqedonisë, ka diçka edhe më trishtuese se kaq: përderisa te maqedonasit është thuajse e pamundur që dy herë me radhë të të votojnë për të njëjtin post dhe ku janë harruar emrat e funksionarëve të para një dekade, ne mbetëm me të njëjtat ministra, deputet e kryetarë komunash të përjetshëm.
Madje janë dëgjuar edhe zëra përplot mburrje se përderisa politikanët maqedonas vijnë e shkojnë, kryetari i BDI-së mbetet i përjetshëm, i padëmtuar nga ‘tërmetet’ me të cilat është përballur ky shtet, me çka tregojmë se dimë të lëvdohemi edhe me gjërat që na turpërojnë.
Po, në Maqedoni janë dënuar për hajdutëri dhe shkelje ligjore shumë politikanë maqedonas të rangjeve të ndryshme, përfshi edhe kryeministra, e le më kryetar komunash, por kjo nuk ka ndodhur me asnjë funksionarë të BDI-së, të cilëve qarqet politike e policore maqedonase ua dorëzuan edhe bisedat e përgjuara telefonike, vetëm që ata të na sundonin të qetë, e ne të mos e kuptonim se Maqedonia mund të ndryshojë emër e mbiemër, por jo edhe mendësinë shtetformuese se politikani hajdut maqedonas është i dëmshëm për shtetin, e burrështetasi shqiptarë që e zhvat popullin e vet është i dobishëm dhe i përdorshëm për këtë vend.
Dhe përderisa është kështu, pra përderisa jemi popull që gjitha i matim sipas logjikës se hajduti i partisë sime, që më jep edhe mua, nuk është i keq sa hajni i partisë kundërshtare, ne do vazhdojmë të jetojmë në vendbanime të cilat nuk i mbulon vetëm pikëllimit për të rinjtë që e braktisin vendlindjen, por edhe plehu dhe papërgjegjësia jonë kolektive ndaj më të vlefshmes që kemi – ambientin jetësorë./sakte.net