Presidenti kinez, Xi ka kërkuar në një telefonatë me presidentin amerikan, Trump ulje të toneve në grindjen atomike me Korenë e Veriut. Ndërsa kancelarja Merkel nuk sheh zgjidhje të konfliktit me mjete ushtarake.
Kina paralajmëron SHBA-në për konfliktin me Korenë e Veriut
Donald Trump duhet të mënjanojë „fjalët dhe veprat”, që çojnë në një gjendje të tensionuar, paralajmëroi presidenti kinez, Xi Jinping presidentin amerikan.
Sipas të dhënave të televizionit kinez, Xi nuk i bëri thirrje vetëm SHBA-së për vetëpërmbajtje, por të gjitha palëve që të „ushtrojnë vetëpërmbajtje” dhe të „vazhdojnë rrugën e dialogut dhe të një zgjidhjeje politike”.
Gjithashtu presidenti kinez ka theksuar, se është në interesin e përbashkët të Kinës dhe SHBA-së çarmatimi atomik i Gadishullit Korean dhe sigurimi i paqes dhe stabilitetit në rajon, njofton DW.
Ashpërsimi i toneve
Së fundmi SHBA dhe Koreja e Veriut kanë ashpërsuar tonet. Donald Trump kërcënoi këtë javë Korenë e Veriut se SHBA do të reagojnë me „zjarr, zemërim” ndaj provokimeve të tjera.
Ndërsa të premten nga Pheniani u tha se SHBA duhet të llogarisin me „një dështim të turpshëm”, nëse do të këmbëngulin ende „me aventurën ekstreme ushtarake” si edhe rrugën e sanksioneve dhe presionit. Trump është shprehur se Kim do të „pendohej” nëse do të sulmonte SHBA-në.