Agjencia britanike e lajmeve “Reuters” i ka kushtuar një artikull sot Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, me theks të veçantë ndërrimin e emrit të saj.
“Kisha Ortodokse Serbe planifikon të ndërrojë emrin e saj për të theksuar lidhjen e saj me Kosovën, ish-provincën serbe që fitoi Pavarësinë më 2008, në një përpjekje që po shihet si kundërshtim ndaj përpjekjeve të Beogradit për të përmirësuar lidhjet me Prishtinën”, thuhet në këtë artikull.
Jeta publike e serbëve është laike, thotë teksti, mirëpo ajo posedon një konservatorizëm të theksuar, nganjëherë nacionaliste, dhe jo vetëm në Serbi por edhe në vendet fqinje ku jetojnë minoriteti serb, në Bosnjë, Kroaci e Kosovë.
Tutje thuhet, se gjatë luftës që ndodhi e cila e ndau ish-Jugosllavinë gjatë viteve të 90-ta, klerikët ortodoks edhe publikisht bënë bekimin e nacionalistëve dhe paramilitarëve serb, të cilët kryen krime lufte në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, transmeton lajmi.net.
Patriku Irinej gjatë këtyre ditëve deklaroi për mediat e Beogradit që pas një rishikimi të kushtetutës serbe, Kishës Ortodokse do t’i ndërrohet emri në Patriarkana e Kishës Ortodokse Serbe- Pejë , shkruhet aty.
Kjo lëvizje po shihet si një rezistencë e Kishës për përpjekjet e Presidentit serb, Aleksander Vuçiq dhe qeverisë serbe për përmirësimin e raporteve me Kosovën, fakt i cili po shihet si njëri nga kushtet kryesore për Serbinë, në mënyrë që të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Ky është një mesazh që tregon kundërshtim me politikat e shtetit serb. Pikëvështrimet e kishave nuk reflektojnë gjithherë në pikëvështrimet e shtetit për territore të caktuara”, thotë për “Reuters”, Zoran Stojiljkociq, ligjërues në Universitetin e Beogradit.
Më tej në këtë artikull vazhdohet me faktin që Kosova ka 90 për qind popullsi shumicë shqiptare, por shumë serbë vazhdojnë ta shohin shtetin e Kosovës, aty ku gjenden manastiret e tyre, si djep të qytetërimit të tyre ortodoks, duke kundërshtuar deklaratën e Pavarësisë së 2008-ës.
Patriarkana e Pejës ka ekzistuar që moti në qytetin që tanimë banohet kryesisht me shumicë shqiptare me të njëjtin emër nga viti 1346 deri më 1766 kur edhe u hoq nga turqit, shkruhet në këtë artikull.
Pas rifitimit tëpavarësisë më 1879, Kisha Ortodokse serbe riktheu lidhjet me Patriarkanën e Pejës, duke karakterizuar udhëheqësit e tyre, kryepeshkopët e Pejës, dhe patriarkët e Serbisë.
“Peja mbetet një dëshmi e së kaluarës tonë, për peshkopët dhe patriarkët, pavarësisht çfarë ka ndodhur, Peja mbetet qendra historike e kishës sonë”, citohet deklarata e Patrikut Irinej.
Nga viti 2008, Kosova është njohur nga gjithsej 115 shtete, me aleatët e Serbisë, Kinën dhe Rusinë që po refuzojnë ta bëjnë një gjë të tillë, duke bërë të pamundur edhe anëtarësimin në OKB.
Ndërkaq, Patriarku i Beogradit nuk ka dashur të flasë me “Reuters” për këtë rast.