I dërguari i posaçëm i Presidentit Amerikan, Joe Biden, Gabriel Escobar, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk imponojnë kushte dhe parametra për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka thënë se, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë e pranueshme nga populli i Kosovës dhe ai serb.
“Çdo marrëveshje përfundimtare dhe elementet e saj duhet të jenë të pranueshme nga populli i Kosovës dhe nga ai i Serbisë. Shtetet e Bashkuara kurrë nuk ua kanë dhe kurrë nuk do t’ua imponojnë kushtet dhe parametrat as Kosovës e as Serbisë. Të dyja, Kosova dhe Serbia, janë shtete sovrane”, ka thënë Escobar.
Por, cila mund të jetë kjo marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që mund t’i pajtojë edhe shqiptarët edhe serbët?
Në lidhje me këtë temë, profesor dr.Enver Bytyçi thotë se, pas pak ditësh do të jenë në Prishtinë dhe në Beograd dy përfaqësuesit ndërkombëtar për të aranzhuar rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, Gabriel Eckobar i SHBA-ve dhe Miroslav Lajcak nga Brukseli do të takohen me liderët kryesorë të Kosovës e Serbisë për të parë se si mund të shkohet drejt mbylljes se dialogut me një marrëveshje të përbashkët.
“Ndihmës-sekretari i Shtetit, Escobar, thoni ju ka thënë se nuk do të imponojnë një zgjidhje, të cilën nuk e duan qytetarët kosovarë apo ata serbë. Ndërsa ambasadori i SHBA-ve në Kosovë ka thënë se “Diskutimi për territoret dhe kufijtë është i përjashtuar”, ndërkohë që sa i përket asociacionit është shprehur se ky asociacion nuk krijon një Republikë Serbe në Kosovë. Është një kakofoni fjalësh, ndërkohë që Escobar ka kërkuar që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit. Në këto kushte është vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë dhe si do të zhvillohen ngjarjet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Por, duket qartë se koha është për ta marrë shumë seriozisht këtë proces”, thekson Bytyçi.
Ai thotë se, nuk e di nëse dy ndërmjetësit e dërguar në rajon do të gjejnë apo jo një gjuhë dhe një qëndrim të përshtatshëm në Serbi.
“Serbia ndodhet para zgjedhjeve të reja presidenciale dhe në këtë situatë nuk besoj se asaj i intereson të vazhdojë dialogun me Kosovën të filluar 11 vjet më parë. Kosova nga ana e saj nuk ka asnjë arsye pse t’i ikë bisedimeve, nuk mundet dhe nuk duhet t’i bojkotojë ato dhe duhet të tregohet e gatshme për të shkuar në këto bisedime. E vetmja gjë që Qeveria dhe delegacioni i saj duhet të kërkojë është që në bisedime të flitet për marrëveshjen përfundimtare”, thotë ai.
Profesori thekson se, ka një problem sa i përket arritjes së kësaj marrëveshjeje.
“Nëse zoti Escobar i përmbahet asaj që tha ambasadori amerikan se nuk diskutohen kufijtë dhe nuk do të ketë një Republikë Srpska në Kosovë, e ka të vështirë ta bindë Beogradin për një marrëveshje të tillë. Autoritetet serbe nuk do të pranojnë marrëveshje me njohje të ndërsjellët dhe zgjidhjen përfundimtare të konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë. Kjo sepse nuk e pranojnë atë qytetarët serbë, të cilët mëkohen me frymë dhe mitet nacionaliste mbi Kosovën nga vetë këto autoritete. Por unë besoj se pa imponime me anë të presionit ose joshjes të udhëheqësve serbë, ata kurrë nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje me të cilën nuk fitojnë territore ose prezencën e tyre institucionale si p.sh. përmes asociacionit. Vetëm nëse liderët politikë në Beograd do të joshen me anëtarësimin në BE, me fonde dhe investime, me rritjen e kanaleve të komunikimit të gjithanshëm e lehtësues të Serbisë me Perëndimin, vetëm atëherë ata mund ta pranojnë shtetin e Kosovës. Por, jo vetëm me këtë. Duhen gjithashtu presione”, shton ai.
Sipas tij, këtu ka edhe një problem tjetër.
“Nëse Serbia e pranon Kosovën pa miratimin e Rusisë, kjo do të thotë që shteti serb t’i japë fund marrëdhënieve strategjike me Moskën. A do të jetë aq i fuqishëm Uashingtoni dhe Brukseli që të imponojnë një marrëveshjeje paqeje midis Kosovës dhe Serbisë? Pra, a do ta detyrojnë dot Serbinë për këtë?! Nuk besoj! Atëherë ekziston rreziku që të imponohet viktima, i dobëti, pra Kosova. Kjo do të thotë që në Kosovë do të kemi një shtet serb brenda shtetit kosovar. Për këtë arsye mendoj se Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të mendojnë mirë, të përgatiten dhe të formulojnë qëndrime konkrete, korrekte nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe e së drejtës sovrane”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, nëse përfaqësuesit e Kosovës do të jenë inferior dhe nuk do të besojnë te e vërteta, e drejta, e ndershmja, e bazuar edhe në dokumentet ndërkombëtare, atëherë do të gabojnë.
“Përfaqësuesit e BE-së, si Borrell, edhe Lajçak e kanë bërë me dije se duan të realizojnë projektet e Serbisë në Kosovë. Së paku asociacionin, madje me kompetenca ekzekutive, përtej përcaktimeve të Gjykatës Kushtetuese. Marrëveshja përfundimtare, thotë Escobar, do të jetë vullnet i qytetarëve dhe lideshipit të të dyja vendeve, atëherë kjo formulë është shumë e saktë dhe shumë e drejtë. Por, ne na lejohet të dyshojmë se mund të ndodhë kjo. Sepse tashmë qëndrimet e palëve dihen. Kosova kërkon shtet funksional në të gjithë territorin e saj, duke respektuar të drejtat e serbëve dhe minoriteteve të tjera. Serbia kërkon prezencë juridike në Kosovë përmes asociacionit ose ndarjen e saj. Nuk mund të pajtohen këto dy opsione. Këto janë si dy vija paralele që nuk takohen edhe nëse sillen paralel me meridianin e botës”, thekson ai.
Ai pyet se si do të pajtohen palët?!
“Këtë nuk e kuptoj. Pikërisht ky moskuptim më bën skeptik. Është komoditet i madh të vihet në Kosovë me idenë se do të realizosh një marrëveshje midis të dyja vendeve bazuar në vullnetet e palëve. Madje më duket utopi. Zgjidhja përfundimtare dhe marrëveshja e fundit garanton paqen vetëm nëse ajo forcon pavarësinë e Kosovës si edhe pavarësinë e Serbisë në një territor pa Kosovën. Nuk ka formulë tjetër për të garantuar se Kosova, Serbia e rajoni do të jetojnë në paqe e siguri. Për të arritur këtë i duhet dhënë fund nxitjes së urrejtjes dhe projekteve për zgjerim territoresh”, përfundon profesori Enver Bytyçi.
Ndryshe, spt i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak do të jenë në Kosovë.
Dy emisarët do të takohen në ora 16 me presidenten Vjosa Osmani.
Rifillimi i dialogut si dhe Asociacioni pritet të jenë dy çështjet që do të jenë ne fokus të takimeve të dy emisarëve me krerët e shtetit dhe liderët politikë.
Qëllimi kryesor i vizitës është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA.