Arsyeja e kthimit është se prokuroria ka vlerësuar se ai ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, e cila i ishte caktuar.
Avokatja e tij, Kosovare Kelmendi, të shtunën për lajmi.net ka dhënë detaje për shkeljet që ka bërë klienti i saj, Enver Sekiraqa, vetëm një orë pas lirimit, të cilat kanë shtyrë që ai të kthehet në paraburgim.
“Është kthyer në paraburgim sepse prokuroria pretendon se ka shkelë urdhërin e gjykatës, ku i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, sepse ka qenë në vizitë një avokat i tij, që e përfaqëson në një rast tjetër edhe ai ka qenë me nipin. Janë fotografuar në shtëpinë e tij, një orë mas lirimit duke e postuar në Facebook dhe më këtë e ka shkelë masën e arrestit shtëpiak, për arsye se e ka pasur të ndalur të kontaktojë më persona tjerë përveç anëtarëve të familjes”, ka thënë Kelmendi.
Ajo ka treguar se të martën më 24 tetor, do të mbahet një seancë dëgjimore për caktimin e paraburgimit.
Enver Sekiraqa është dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës së Apelit me 30 vjet burg për vrasjen e policit Trium Riza në vitin 2007.
Kjo është fotografia që u bë nga disa familjar të Sekiraqes, natën e lirimit të tij.