Koalicioni i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën i formuar para zgjedhjeve të 11 qershorit, po pret qe brenda javës se ardhshme t’i formoj institucionet e vendit.
Në një takim të zhvilluar ditë më parë mes krerëve të këtij koalicioni, ‘Indeksonline’, merr vesh se është arritur ujdisa për ndarjen e dikastereve qeveritare.
Në bazë të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor PDK-së, i takon 58 përqind e hises në qeveri apo shtatë deri në tetë ministri.
Kësisoj, PDK-së do t’i takoj ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Integrimeve, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë dhe dy, tri ministri tjera për të cilat ende nuk është vendosur.
Merret vesh se në rast të zgjerimit të koalicionit me AKR-në, ministrinë e Punëve të Jashtme mund ta udhëheqë AKR, përkatësisht presidenti i këtij subjekti, Behgjet Pacolli.
E, si emra të mundshëm për t’i drejtuar ministritë e PDK-së, përmenden: Memli Krasniqi, Dhurata Hoxha, Arbana Xharra, Uran Ismaili dhe Ferat Shala.
Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për formimin e institucioneve. Të enjten është caktuar të mbahet vazhdimi i seancës konstituive ku pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit.
Një ditë më parë ‘Indeksonline’, ka raportuar edhe për ministritë qe i takojnë AAK-së dhe minoriteve në rast se qeverinë e formon kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Ditëve në vijim, ‘Indeksonline’, do të raportoj edhe për dikastere qe do t’i drejtoj partia e Fatmir Limajt, Nisma për Kosovën./Indeksonline/