Humbësja më e madhe në garën e balotazhit është Partia Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit pas disa vitesh nën administrim ka humbur Prizrenin apo siç e quante ndryshe “Jerusalemin” e saj.
Fitoren e vetme në shtatë qendrat e mëdha, pavarësisht humbjes së disa bastioneve, e ka shënuar në Ferizaj. Lëvizja “Vetëvendosje” ka arritur t’i fitojë dy qendrat më të mëdha, Prishtinën dhe Prizrenin. Aleanca është fituesja më e madhe e balotazhit, përderisa LDK-ja prin me numër të komunave të fituara, shkruan sot Gazeta “Zëri”
Lëvizja “Vetëvendosje” ka arritur t’i fitojë dy komunat më të mëdha në vend, Prishtinën dhe Prizrenin, në garën e balotazhit që u zhvillua të dielën, ndonëse me një diferencë shumë të vogël duke u bazuar në rezultatet preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Përpos kësaj, partia më e madhe parlamentare në vend ka arritur të shënojë fitore vetëm edhe në Komunën e Kamenicës, ndërsa ka humbur në Gjilan, në Podujevë dhe në Kaçanik, ku ka qenë në balotazh.
Humbësja më e madhe nga balotazhi i së dielës është Partia Demokratike e Kosovës. Kjo e fundit pas disa vitesh nën administrim ka humbur Prizrenin apo siç e quante ndryshe “Jerusalemin” e saj, ku për një kohë të gjatë i kishte përqendruar edhe investimet nga qeverisja e nivelit qendror, shkruan tutje “Zëri”.
PDK-ja në këto zgjedhje i ka humbur edhe disa bastione të saj: Klinën, Vushtrrinë dhe Rahovecin. Në të parën ka fituar kandidati i AAK-së, ndërsa në të dytën ai i LDK-së.
Partia e Isa Mustafës (LDK) nga zgjedhjet lokale ka mbetur e lidhur me dy qendra të mëdha, Gjilanin dhe Pejën, ndonëse është partia me numrin më të madh të komunave të fituara, përkatësisht tetë sosh.
Pas LDK-së, AAK-ja pa dyshim se është fituesja më e madhe e balotazhit pasi ka fituar shtatë komuna. Ndërsa AKR-ja ka arritur ta ruajë Komunën e Mitrovicës, ku kandidati i saj Agim Bahtiri ka fituar në garën me kandidaten e PDK-së, Valdete Idrizi.
Nga humbja e Idrizit në Mitrovicë dhe e Mimoza Kusari-Lilës në Gjakovë asnjë kandidate femër nuk është zgjedhur kryetare e re në 38 komunat e vendit….