“Kleçka, vizitat e Elmi Reçices dhe…”/ Fatmir Limaj ka informacione të dorës së parë për vrasjet politike – kërkohet rrëfimi…

Ditë më parë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i njohur gjatë luftës si komandant “Çeliku”, i cili shumë herë ka qenë i akuzuar se është i përfshirë në vrasjet politike, në njërën nga intervistat e tij e ka pranuar më në fund se janë kryer vrasjet ndaj anëtarëve të LDK-së, por qëllimisht nuk u hetuan.

“Ka pasur vrasje të aktivistëve të LDK-së, nuk ka dilemë. Por dikush qëllimisht nuk ka dashur t’i hetojë ato raste në mënyrë që ajo të mbetet temë qendrore. Pastaj qëllimi ka qenë të krijohen ndarje, përçarje, paragjykime, e për të akuzuar njerëz faj e pafaj. Unë nuk kam asnjë dilemë që ato vrasje kanë motive anti-shqiptare, anti-shtet dhe për të krijuar përçarje”, deklaroi Fatmir Limaj.

E pas deklaratave të Limajt, publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj, po kërkon edhe diçka tjetër nga Fatmir Limaj.

Në një bisedë për gazetën “Bota sot”, Zeqiraj thotë se Limaj duhet të zbulojë edhe arsyet e qëllimet pse kanë ndodhur vrasjet politike, pasi sipas tij, Fatmir Limaj ka informacione të dorës së parë për vrasjet që kanë ndodhur.

“”Ka pasur vrasje të aktivistëve të LDK-së, nuk ka dilemë. Por dikush qëllimsht nuk ka dashur t`i hetojë ato raste, në mënyrë që ajo të mbetet temë qendrore”, – e pranon, më në fund, Fatmir Limaj. Deklarimet e Limaj janë të sakta. Vrasjet politike numerike në Kosovë janë faktike. Dëshmi janë varret, shumë syrësh me pllaka përkujtimore, buste dhe shtatore, anekënd Kosovës, mjerisht! Të gjithë janë viktima të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale. Për të qenë rrëfimi i plotë, Limaj duhet të sjell arsyen, pra, qëllimet e mirëfillta të vrasjeve politike; autorësinë dhe të dhënat tjera, për ta ndihmuar drejtësinë. Pa mëdyshje, Limaj di shumë, ka informacion të bollshëm dhe të dorës së parë. Sepse ai ishte menaxher i njërit nga 40 burgjet të improvizuara, madje, më të përgjakshmit – Kleçka tmerruese!”, shprehet Zeqiraj.

Sipas tij, Fatmir Limaj duhet të japë përgjegjësi për burgun e Kleçkës.

“Kleçka u bë varri i sekretarit organizativ të LPK-së për Kosovën, Behajdin Hallaçit; komandantit markant Ismet Jashari – Kumanova; Shaban Shalës dhe të tjerëve. Aty u dajakosën, deri në rrjedhje gjaku në fund të shpinës, kryetari i LDK-së për Malishevën, Jakup Kastrati, veprimtari i shquar Cen Desku dhe shumë të tjerë, që provuan kalvarin e komandantëve banditë e mizor. Dhe, në qendër të kësaj ploje, ishte, pikërisht, shefi i burgut të vdekjes, Fatmir Limaj. Por, ai nuk ishte i vetmi. Vizitat ogurëzeza, ndjella keqe e ndjella vdekje, të zëvendës-drejtorit të SHIK-ut, Elmi Reçica, me vartësit e tij, nuk mungonin, qoftë edhe në errësirën e natës”, thekson Zeqiraj.

“Fatmir Limaj është levizak i hershëm, me “kruzhokët”, rrethet staliniste e hoxhiste. Për këtë ka folur bashkëmendimtari i tij, Hajredin Kuqi, i cili garon me Limaj në panegjerizmin përlavdërues të shefave të tyre, Hashim Thaçin. Madje Limaj e tepron, deri në banalizim, me marrëzinë e tij se, “pa Hashim Thaçin e Kadri Veselin, nuk do të kishim as Kosovë të lirë”! Gënjeshtra dezinformuese demantohet, lehtësisht, kur dihet se asnjëri syresh nuk ishin pjesë e luftës. Sepse ata ishin banorë rezidentë të hotel “Rogner” dhe merreshin me listime vrastare dhe komunikata morbide!”, shpjegon më tej publicisti Idriz Zeqiraj.

Sipas tij, ishte pikërisht Fatmir Limaj, i cili bënte thirrje për përçarje dhe ndarje gjatë luftës mes shqiptarëve.

“Në deklaratën rishtare të tij, Fatmir Limaj , shquhet për sinqeritet kur thotë se “qëllimi ka qenë të krijohen ndarje, përçarje, paragjykime, e për të akuzuar njerëz faj e pafaj”. Në një takim të hapur, në Dukagjin, në vitin 1998, Fatmir Limaj i shërbente, pikërisht, ndarjes dhe përçarjes: “Kush donë të hyjë në Evropë përmes Tirane, lë të vjen me neve, ndërkaq kush donë të hynë përmes Beogradit, lë të shkojë me Rugovën”! Më qartë nuk ka se si t´i shërbehet ndarjes dhe përçarjes të popullit, madje në vlugun e luftës! Por, dukagjinasit, të zhgënjyer, e injoruan me mos besim. Limaj vazhdon deklaratën e tij, krejt të virgjër, të padëgjuar nga soji i tij lëpëkeist: “Unë nuk kam asnjë dilemë që ato vrasje kanë motive anti shqiptare, anti-shtet dhe për të krijuar përçarje”, – ngulmon, njëmendësisht e bindshëm, Limaj, në vazhdim të deklaratës së tij”, shprehet Zeqiraj, i cili nuk ka asnjë dyshim se Fatmir Limaj është njeriu i duhur për tu rrëfyer për vrasjet politike.

“Por, Limaj, me deklarimet e tij, të cilat janë absolutisht të sakta, veçsa konstaton, se seria e vrasjeve politike numerike, tashmë, ka ndodhur. Veçse mjaftohet me kaq, duke anashkaluar autorësinë e këtyre vrasjeve, sepse edhe -krimi ka emër -. Dhe, nuk ka asnjë dyshim se Limaj është njeriu i duhur për të rrëfyer, për opinionin shqiptar, për shumë nga krimet vrastare, gjatë dhe pasluftës, në Kosovën tonë, rrast të inkriminuar”, ka deklaruar ndër tjerash publicisti Idriz Zeqiraj në një prononcim ekskluziv për gazetën “Bota sot”, vazhdimin e të cilit do ta lexoni nesër.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme