KMDLNJ: Seanca për Haradinajn është e kotë

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) vlerëson se seanca që do të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës për arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze, do të jetë vazhdimësi e seancave të jashtëzakonshme paraprake që nuk kanë prodhuar asnjë rezultat përveç fyerjeve, akuzave dhe kundërakuzave si dhe rritjes së rreme të adrenalinës patriotike.

“Pikërisht mungesa e një patriotizmi të vërtetë, dashurisë dhe përkushtimit për shtet dhe qytetarët e tij, prodhojnë situata kaotike dhe seanca të jashtëzakonshme krejtësisht të pafuqishme, të padobishme dhe të dëmshme”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj, ndër të tjera, ka theksuar se në shumë raste udhëheqësit më të lartë të Kosovës u arrestuan, u poshtëruan publikisht për t’u liruar me ndihmën e miqve “ndërkombëtarë”.

“Në këtë mënyrë Serbia krijonte epërsi politike duke u faktorizuar ndërkombëtarisht, ndërsa Kosova mbrohej dhe defaktorizohej duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së.

Në reagimin më tej thuhet se kriminelët e dëshmuar serbë asnjëherë nuk u akuzuar vetëm për shkak të “normalizimit” të marrëdhënieve me Serbinë, ndërsa ky shtet vetëm ka sajuar listat me udhëheqësit e UÇK-së.

“Serbia, që nga përfundimi i luftës ka sajuar lista me ‘kriminelë’ shqiptarë, kryesisht udhëheqës të UÇK – së apo të atyre që u pengojnë politikisht, kurse Kosova, me sugjerimin e “miqve” ndërkombëtarë, kriminelët e dëshmuar serbë nuk i akuzonte për hir të “normalizimit” të marrëdhënieve me Serbinë për çka lavdërohej verbalisht nga Brukseli për qasje konstruktive kurse, faktikisht përjashtohej nga të gjitha proceset integruese duke mbetur vendi i vetëm në botë pa liberalizim të vizave”, vazhdon reagimi.

“Madje edhe Kolumbia e Pablo Eskobarit ka fituar liberalizimin e vizave për shtetet evropiane sikur që edhe Serbia e Millosheviqit, me pasardhësit politik që e trashëguan denjësisht sot në Serbi, me hapa galopant po shkon drejt integrimit evropian”, thuhet në komunikate e KMDLNj-së.

Sipas këtij këshilli, UNMIK-u dhe EULEX-i penguan çdo hulumtim serioz për krime lufte në Kosovë, prandaj toleruan strukturat e kriminalizuara në Kosovë ta bëjnë vendin “tokë me perspektivë të djegur”./Insajderi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme