Për të gjashtën herë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19.
Në seancën e fundit morën pjesë në votim vetëm 58 deputetë, ndërsa votimi për këtë Projektligj ishte bartur për seancën e sotshme.
Ky Projektligj, po ashtu nuk kishte marrë votat në lexim të parë as në muajin gusht, pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë ndonëse ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri thirrje për votimin e tij.
Përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar që ky Projektligj të miratohet sa më parë, pasi sipas tyre, ka rritje të shpenzimeve të familjeve dhe bizneseve.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro. /Telegrafi/