Shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pret rinisjen e angazhimeve për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në fillim të këtij viti.
Teksa janë pyetur për ultimatumin e Serbisë, që deri më 15 shkurt të nisë zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin, nga zyra e Mogherinit vetëm kanë kujtuar zotimet që kanë dhënë të dyja palët në procesin negociator.
Por zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë përjashtuar mundësinë që të fillojë puna rreth Asociacionit, përderisa në veri ekziston muri ndarës, i vendosur nga autoritetet lokale të Mitrovicës Veriore.
“Bashkimi Evropian pret që veprimet (për themelimin e Asociacionit v.j.) të rinisin në fillim të vitit 2017, në përputhje me arritjet e fundit, mbi zbatimin e marrëveshjes së gushtit”, ka thënë për “Kohën Ditore”, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Mogherinit.