Në aeroportin e Shkupit kanë arritur dy aeroplanë ushtarak me 45 trupat e pajetë të atyre që u aksidentuan tragjikisht në Bullgari.
Krahas zyrtarëve të lartë shtetëror të Maqedonisë së Veriut, në këtë ceremoni po marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë nga Kosova dhe Shqipëria.
Ne mesin e tyre ishte edhe deputeti i VV-se Haki Abazi.
Ai përmes një shkrimi në Facebook, ka shprehur ngushëllime të sinqerta gjithë familjeve për këto humbje të mëdha.
“Sot bashkë me Presidentën Vjosa Osmani, Deputetët Milazim Salijaj, Agon Batusha dhe Luan Aliu, përfaqësues qeveritar nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e Veriut dhe klerit fetar ishim prezentë në arritjen arkivoleve dhe në nderim të viktimave të tragjedisë që ndodhi në Bullgari.
Dua të shpreh ngushëllime të sinqerta gjithe familjeve për keto humbje të mëdha, tragjike dhe kaq të pashpjegueshme.
Për një popull të vogël këto vërtet janë tragjedi të mëdha. Rasti i autobusit në Kroaci, vdekjet në spitalin e Tetovës, aksidentet e shpeshta në komunikacion si rasti tek Kosharja e Shtimës, tani rasti ne Bullgari, të gjitha këto mbrenda pak muajve dhe mbi 100 të vdekur. Duhet ngritur një alarm institucional gjithëandej për ta ngritur nivelin e sigurisë dhe mbrojtjes për qytetarin. Jeta e qytetarëve është shumë më e shtrenjët se çfarëdo përfitimi.” shkruan ai.