Në Teatrin Kombëtar të RMV-së u shfaq premiera e komedisë “Gënjeshtra” e autorit francez, Florian Zeller, me regji të Besfort Idrizit. Motivi kryesor i komedisë është marrëdhënia martesore apo tradhtia, megjithatë, siç lë të kuptohet edhe vetë titulli, në fakt ajo që trajton teksti, por edhe shfaqja jonë, është gënjeshtra si fenomen, shkruan Nistori.
Regjisori Besfort Idrizi për Nistori thotë se jetojmë në një pandemi më të keqe se nga pandemitë tjera, atë lajmeve të rreme dhe shoqëria tani gjendet në një labirinth, ku nuk dihet çka është më e vërtetë dhe çka është gënjeshtër.
“Aq shumë e gënjejmë njëri-tjetrin, aq shumë e mashtrojmë njëri-tjetrin, vijmë në një situatë që nuk mundemi të vendosim një kufi të qartë ndërmjet gënjeshtrës dhe të vërtetës. Vijmë në një labirinth ku nuk e dijmë çka është e vërtetë dhe çka është gënjeshtër. Fatkeqësisht kjo na ndodh në përditshmëri.” – deklaron Idrizi për Nistori.