Komisioni për matjen e territorit thotë se shfrytëzoi edhe dy harta të KFOR-it

Komisioni për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, thotë se në kuadër të punës së vet ka siguruar edhe tri harta të punuara nga KFOR-i në vitin 2001, kurse, më 13 dhe 14 shkurt, ky komision ka bërë dy vizita në terren me qëllim të verifikimit të mbulueshmërisë së territorit të Republikës së Kosovës me dokumentacion administrative.

Kështu ka thënë për KosovaPress, zëdhënësi i këtij komisioni, Tomor Çela. Ai ka shtuar se puna e këtij komisioni është në përfundim të fazës analitike të dokumentacionit.

“Komisioni për Matjen e territorit vazhdon punën me dinamikë të njëjtë. Kemi pranuar edhe disa materiale nga përfaqësuesi i FSHMN-së, dhe kemi siguruar 3 harta të punuara nga KFOR-i, në vitin 2001. Sigurisht se do të ketë matje digjitale të të gjitha zonave kadastrale dhe komunave administrative”, ka thënë ai.

Ndryshe, komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës ka mbajtur takimin e radhës të enjten, ku janë prezantuar materialet dhe gjetjet nga terreni lidhur me verifikimin e segmenteve dhe pikave me të cilat vërtetohet mbulueshmëria me dokumentacion administrativ dhe hartografik.

“Komisioni më 21 shkurt 2017, në ora 10:00, në mjediset e ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të prezantojë draftin e raportit të punës së tij, me të gjitha materialet dhe rezultatet. Para hartimit të raportit përfundimtar për Qeverinë e Republikës, e cila edhe e ka themeluar Komisionin e ekspertëve për të bërë matjen e territorit të Republikës, Komisioni do t’i ofrojë opinionit për diskutim publik gjithë dokumentacionin dhe gjetjet profesionale, shkencore dhe menaxheriale që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës. Komisioni mirëpret çdo dëshmi, vërejtje dhe sugjerim të mbështetur në fakte profesionale dhe shkencore. Diskutimi publik do të zgjasë nga 21- 24 shkurt 2017, nga ora 10:00-15:00 në ndërtesën e Qeverisë. Për Komisionin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e komisionit.

Mënyra se si Kosova e demarkoi kufirin me Malin e Zi mbetet njëra prej çështjeve më diskutabile në vend. Në anën tjetër, krerët e shtetit kanë shtuar presionin duke thënë se kosovarët po vazhdojnë të mbesin të izoluar në Evropë pikërisht për shkak të mos-miratimit të demarkacionit.

© KOHA

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme