Partia Demokratike akuzon qeverinë se ka shkelur rregullat e NATO-s dhe BE-së, duke deklaruar se ka shitur armë në zonat e konfliktit.
Në një deklaratë, zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, përmendi një deklaratë të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi në Kuvend, që sipas të cilës, ka thënë se kompania Advanced Arm of Technology (AAT), kompani bijë e KAYO-s, ka prodhuar dhe shitur armë që janë përdorur në zonat në konflikt.
Garo deklaroi se armët mund të kenë origjinë nga vende afrikane si Nigeria, Angola apo Sudani. Sipas saj, nëse këto deklarime rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një shkelje të rregullave ndërkombëtare dhe për trafik armësh nën siglën e shtetit shqiptar.
“Në rast se ka ndodhur vërtet që Ermal Nufi, me bekimin e Edi Ramës, ka shitur armët e Ron Yeffet, atëherë ato armë vijnë nga vende të tilla si Nigeria, Sudani apo Angola dhe kjo nuk do të ishte asgjë më shumë se trafik armësh me licencën e qeverisë shqiptare”, tha ajo.
Ajo iu referua gjithashtu edhe rregullave të NATO-s për prokurimin dhe financimin e mbrojtjes, si dhe nenit 346 të Traktatit për Funksionimin e BE-së, duke pretenduar se qeveria ka shkelur kriteret që lidhen me origjinën e pajisjeve ushtarake.
“Ministri i Mbrojtjes ka shkelur me të dyja këmbët nenin 346 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, si dhe kriterin kryesor të BE-së për tregtinë, ‘Gjithçka përveç armëve’ e cila u lejon vendeve më pak të zhvilluara të Afrikës të eksportojnë mallra drejt BE-së, por në mënyrë kategorike jo armë“, tha ajo.
PD kërkon që kryeministri Edi Rama, ministri Ermal Nufi dhe të tjerë të përfshirë të japin dorëheqjen dhe të hetohen nga drejtësia.
Deklarata e zëdhënëses së PD, Floriana Garo:
Armët e shitura nga ana e Shqipërisë në vendet në konflikt janë në kundërshtim me ligjet e NATO-s dhe të BE-së
Ermal Nufi, Ministër i Mbrojtjes, në seancën e datës 23 prill do të deklaronte se kompania bijë e KAYO-s, Advanced Arm of Technology, e cila zotërohet nga Ron Yefet dhe Arjeta Puca në masën 80% të saj, ka prodhuar dhe ka shitur armë në zonat e konfliktit
‘Dhe së fundmi kemi edhe kompaninë AAT, Advanced Arm of Technology, që prodhon armë dhe këto armë, siç e thashë edhe një herë, janë në përdorim në një vend në konflikt diku, jo patenta fiktive’ tha Nufi
Por, nga verifikimet tona rezulton se në rastin më të mirë ose kemi të bëjmë me një mashtrim publik të Nufit, ose me një shkelje të hapur të ligjeve të NATO-s dhe të BE-së, duke rrezikuar kështu seriozisht procesin e integrimit, por duke vënë edhe në dyshim pozicionin e Shqipërisë mes vendeve partnere të NATO-s.
Në rast se ka ndodhur vërtet që Ermal Nufi, me bekimin e Edi Ramës, ka shitur armët e Ron Yeffet, atëherë ato armë vijnë nga vende të tilla si Nigeria, Sudani apo Angola dhe kjo nuk do të ishte asgjë më shumë se trafik armësh me licencën e qeverisë shqiptare.
Sipas rregulloreve të NATO-s për mbështetjen dhe prokurimin, si dhe rregullave të financimit të përbashkët të NATO-s, dokumenti AC/4-D/2261 që rregullon Prokurimin Ndërkombëtar me Konkurrencë përcakton edhe kriteret që lidhen me kombësinë dhe origjinën e prodhimit.
Kriteri i kombësisë së prodhimit të armëve apo municioneve është ndër kriteret bazë: tenderët dhe kontratat e mbrojtjes për furnizimin e forcave të NATO-s u lejohen vetëm kompanive që janë të regjistruara dhe operojnë brenda vendeve anëtare të NATO-s, thuhet në rregulloren për tenderët dhe financimin.
Ron Yefet e pranoi se armët që do t’u shiteshin vendeve të BE-së do të vinin nga Afrika dhe, specifikisht, nga Nigeria, Angola apo Sudani. Të trija këto vende nuk janë shtete anëtare të NATO-s.
Nga ana tjetër, Ministri i Mbrojtjes ka shkelur me të dyja këmbët nenin 346 të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, si dhe kriterin kryesor të BE-së për tregtinë, ‘Gjithçka përveç armëve’ e cila u lejon vendeve më pak të zhvilluara të Afrikës të eksportojnë mallra drejt BE-së, por në mënyrë kategorike jo armë
I njëjti nen jep shteteve anëtare të drejtën sovrane të mbrojnë ‘interesat thelbësore të sigurisë së tyre’ në lidhje me tregtinë e armëve. Sipas këtij parimi, agjencitë kombëtare të kontrollit të eksport-importit refuzojnë të japin leje importi për armë që vijnë nga vende që nuk ofrojnë siguri të plotë gjeopolitike apo që nuk garantojnë standarde të larta kontrolli, dhe vendet e Afrikës nuk janë në këtë listë.
E pra, është e qartë që Nufi i Ramës, me urdhër të këtij të fundit, ka shfrytëzuar një prej arritjeve më të mëdha të Shqipërisë, siç është anëtarësimi në NATO, për të bërë trafik armësh nga Afrika ose vende jashtë BE-së nën siglën e shtetit shqiptar, duke cenuar jo vetëm sigurinë kombëtare, por edhe atë të vendeve partnere.
Është dhe kjo një prej arsyeve kryesore që opozita shqiptare kërkon hetim të menjëhershëm prej organeve ligjzbatuese dhe e sheh po aq të paligjshme dhe kundër interesave kombëtare heshtjen e SPAK-ut.
Partia Demokratike kërkon që Edi Rama, Ermal Nufi dhe të gjithë ata që kanë gatuar këtë rrjet korrupsioni, trafiku dhe paligjshmërie të japin dorëhqejen dhe të shkojnë para drejtësisë.
Koha nuk pret.
The post “Kompania bijë e KAYO-s ka shitur armë në zonat e konfliktit”, PD: Shkelje e hapur e ligjeve të NATO-s dhe BE! Rama, Nufi dhe të tjerë të dorëhiqen dhe të hetohen appeared first on Gazeta Shqiptare Online.



