Komuna e Tearcës asfalton rrugën për te ara e kryetarit, shpërthejnë banorët

Përderisa shumë qytete dhe vendbanime rurale kanë probleme të shumta me rrugët kryesore, në Komunën e Tearcës në Tetovë autoritetet lokale kanë asfaltuar një rrugë në mes të fushave.
Por ajo që fshihet pas këtij projekti dhe që ka irrituar më së shumti banorët lokal është fakti se kjo rrugë shpie drejt arës së kreut të Komunës së Tearcës, Isen Asani. Në dokumentet kadastrale ai rezulton bashkë pronar i parcelës e cila ndodhet në përfundim të rrugës së asfaltuar. Parcela nr. 2925 Komuna kadastrale Dobrosht-jashtë rajonit ndërtimorë, ndërsa Isen Asani është bashkëpronar i parcelës e cila është regjistruar në fletën e pronësisë numër 1766. Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë rrugë nga rrugët e tjera është edhte trashësia e jashtëzakonshme e asfaltit, e cila kalon çdo normë madje edhe të rrugëve urbane dhe atyre magjistrale. Banorët e fshatrave për rreth akuzojnë se kjo rrugë është bërë pikërisht për shkak se shpie drejt parcelës së kreut të Komunës Isen Asani, sepse sipas tyre në të kundërtën kjo komunë ka shumë nevoja të tjera më prioritare nga më të ndryshmet. Banorët e fshatit Nerasht thonë se për vite kanë mungesë të ujit për pije. Gjithashtu ata thonë se më së shumti i ka irituar edhe fakti që kjo rrugë nuk ka përfunduar deri në fshatin e tyre për ta lidhur Nerashtin me Dobroshtin, por është ndërprerë, siç thonë ata, deri aty ku i ka konvenuar kreut të Komunës.

“Siç e shihni vetë, deri në kufi e ka pru edhe e ka ndërpre. Aty I ka konvenuar kryetarit dhe e ka ndërpre. Fshati jonë është krejt me kontribut të banorëve, nga shteti skemi asgjë. Na lanë edhe pa ujë, e lëshuan nja dy javë veç ashtu edhe e ndërprenë. Ne 5000 banorë rijmë pa ujë, a ky ja shihni çfarë ka bërë”, deklaroi një banor i fshatit Nerasht.

Televizioni Shenja vizitoi edhe fshatin Odri ku kamera jonë regjistroi rrugë të shkatërruara dhe banorë të revoltuar me veprimin e fundit të kreut të Komunës për të cilin thonë se i ka harruar nevojat e tyre elementare, ndërsa ka ndërtuar rrugë për kafshët.

“Rrugët janë të prishura shumë, veturat prishen, s’bëhet gjë këtu vetëm llafe pas darke. Ajo rrugë nuk është në rregull, ai duhet ta bëjë një herë kah ecin njerëzit dhe jo për lopët. Mirë është të ketë rrugë te krejt, pork jo duhet të bëhet një herë. Atje lartë ku jemi ne ka grupa, hurdha, atje lartë na kanë haruar neve krejt”, deklaroi një banor i Odrit.

“Kushtet e infrastrukturës nuk janë të plotësuara sa duhet, mirëpo kemi shpresa në të ardhmen që të bëhet diçka. Sa, si, presim të shohëm. Na është premtuar se do të ndërtohet rruga kryesore”, tha një banor tjetër i Odrit.

Disa nga banorët lokale thonë se kohëve të fundit flitet se kreu i Komunës planifikon të ndërtojë edhe objekt gastronomiknë parcelën në të cilën shpie rruga e ndërtuar nga Komuna me paratë e qytetarëve. Televizioni Shenja kërkoi edhe prononcimin e kreut të Komunës së Tearcës, Isen Asani në lidhje me këtë çështje, mirëpo nga komuna thanë se ai gjendet në Slloveni.