Komuna kërkon kthimin në Mitrovicë të eshtrave të kryeministrit të Shqipërisë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka nisur punën për riatdhesimin e eshtrave të atdhetarit e intelektualit nga Mitrovica, Rexhep Mitrovica, të cilët aktualisht pushojnë në varrezat e Stambollit.

Bahtiri u ka dërguar letër ditë më parë presidentit Hashim Thaçit, ministrit të Kulturës Kujtim Shala dhe ambasadës së Turqisë në Prishtinë, me qëllim që të ndihmojnë në këtë drejtim.

Në letrën dërguar në adresat e lartpërmendura, kryetari Bahtiri ka shkruar se Komuna e Mitrovicës, synon që me rastin e 50 vjetorit të vdekjes të ish kryeministrit të Shqipërisë, Rexhep Mitrovica (1887-1967), të kthejë eshtrat e tij nga Stambolli në vendlindjen e tij Mitrovicë, për rivarrim.

“Kërkojmë nga ju që të shfrytëzoni autoritetin tuaj dhe të kontribuoni tek autoritetet e Republikës së Turqisë, që të bëjnë të mundur realizimin e kërkesës së Komunës së Mitrovicës për t’i kthyer eshtrat e këtij patrioti në vendlindje”, thuhet tutje në letër.

Përveç tjerash, me këtë letër kryetari Bahtiri kërkon këta të japin edhe kontributin e tyre material për mbulimin e shpenzimeve të rivarrimit.

Sipas njoftimit për media të Komunës së Mitrovicës, lidhur me këtë nismë kryetari Bahtiri thotë se është humane dhe shumë e qëlluar, por gjithsesi e vonuar. Ai e vlerëson lartë Rexhep Mitrovicën, duke thënë se është një tjetër figurë e madhe e Mitrovicës, me kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare.

“Është shumë humane dhe e natyrshme që eshtrat e tij të prehen këtu në vendlindje dhe që qytetarët e komunës dhe të tjerët të frymëzohen nga veprimtaria e tij atdhetare e intelektuale. Nëse përpara, në ish sistemin dhe në kohën kur Kosova ishte nën okupim, ka pas pengesa për këtë, tani nuk ka asnjë pengesë që eshtrat e patriotit të madh Rexhep Mitrovica të kthehen në vendlindjen e tij. Besoj se edhe kjo nismë do të përfundojë me sukses”, thotë ai.

© KOHA.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme