Rojat bregdetare indoneziane, konfiskuan një ton metamfetaminë të fshehur në thasë orizi, që po transportohej me një ‘anije fantome’.
Anija është ndaluar në Kanalin Phillip, kur ekuipazhi ia ndruan flamurin e Singaporit me atë Indonezian, gjë që ngjalli shumë dyshime.
Pasi u ankorua për inspekim, u gjetën 41 thasë me masë të dyshimtë, katër flamuj të ndryshëm dhe dokumente jo të rregullta.
“Gjetëm 1,029 kilogramë metamfetaminë, por sasia mund të jetë edhe më e madhe, pasi ende nuk e kemi përfunduar kontrollin”, ka thënë shefi i ekipit të forcave detare.
Në këtë aksion janë arrestuar katër të dyshuar, njëri prej të cilëve ka thënë se masën e gatshme për treg po e dërgonin në Australi.
Anija transportuese është konsideruar ‘fantome’, pasi nuk dihet prej nga ka ardhur dhe kujt i përket, duke e bërë rastin edhe më të komplikuar.
Në anën tjetër, ligjet indoneziane parashohin dënime të rrepta për tregtarët e drogës, përfshirë edhe dënimin kapital.